Moses-Ones: Vettingu po funksionon – A2

Moses-Ones: Vettingu po funksionon

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Leyla Moses-Ones, gjatë aktivitetit për 3-vjetorin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi dhe përurimit të godinës që do të strehojë Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Shkollën e Magjistraturës, deklaroi se vetting-u po funksionon.

“Shqipëria miratoi ligje për zbatimin e Kushtetutës dhe më pas krijoi një Komision dhe një Kolegj Apelimi për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingun). Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara krijuan Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Ky model i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka qenë themeli për pjesën tjetër të reformave që duhet të ndodhin. Tani, një numër i madh – mbi 15 për qind – i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rivlerësuar. Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve”, deklaroi Moses-Ones.

“Tre vjet pas atij votimi në mesnatë, tani kemi një Këshill të Lartë të Prokurorisë dhe një Këshill të Lartë Gjyqësor. Ata përbëhen nga gjyqtarë, prokurorë dhe anëtarët jogjyqtarë dhe joprokurorë. Këshilli i Lartë Gjyqësor po punon për të përtërirë Gjykatën e Lartë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka qenë duke punuar për gurin e çmuar të kurorës së reformave: krijimin e SPAK-ut. Të dy Këshillat janë të ngarkuar me ndërtimin e një sistemi efektiv qeverisjeje për të përmirësuar efikasitetin, për të shtuar llogaridhënien dhe për të rikthyer besimin e shqiptarëve në sistemin e drejtësisë. Ne qëndrojmë përpara një ndërtese të re që së shpejti do t’i japë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Shkollës së Magjistraturës një shtëpi të re e moderne. Kjo godinë së shpejti do të shohë një Shqipëri me gjyqtarë dhe prokurorë të aftë dhe me etikë. Do të shohë një Shqipëri me SPAK-un dhe BKH-në që bëjnë pjesën e tyre për ta çliruar këtë vend nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ndërsa shqiptarët do ta shohin këtë ndërtesë si një simbol të suksesit të reformës në drejtësi. Prokurorët e rinj që betohen sot do të shohin ndryshime të mëdha në Shqipëri përgjatë jetës së tyre”, shtoi e ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Shkarkoni aplikacionin e A2