“Ndiq paranë”, plani i PD-së kundër korrupsionit dhe pasurive të vjedhura

Partia Demokratike ka prezantuar planin e saj kundër korrupsionit qeveritar dhe parave e pasurive të vjedhura nga njerëzit me pushtet.

Sipas PD-së, hapi i parë do të jetë “miratimi i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar” dhe “hetimi i korrupsionit të niveleve të larta”.

Hapi i dytë ka të bëjë me “hetimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale të qeverisë për prokurimet dhe licensimet publike”, ku prioritet do të kenë “hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike”, “hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare dhe “hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë i tek kryeministri”.  

Në njoftimin e PD-së thuhet se “hetimi do të përqendrohet tek paraja”, duke saktësuar se “do të ndjekë, gjurmojë dhe zbulojë origjinën e parave të përdorura” dhe “do të zbulojë destinacionin e parave të marra nga buxheti”.

Në hapin e tretë, do të bëhet i mundur “rikuperimi i pasurive të vjedhura përmes kontratave dhe koncesioneve publike”.

“Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare apo janë investuar kudo nëpër botë do të zbulohen dhe do t’u kthehen shqiptarëve”, premton Partia Demokratike.

Shkarkoni aplikacionin e A2