Refuzohen ankimimet e Bindjes, Patozi: Rama mbylli një kapitull të errët, duhet reformë zgjedhore – A2

Refuzohen ankimimet e Bindjes, Patozi: Rama mbylli një kapitull të errët, duhet reformë zgjedhore

Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar ankimimet e partisë Bindja Demokratike për sa i përket atyre që ajo gjykonte si parregullsi gjatë zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ka reaguar në rrjetet sociale Astrit Patozi.

Koordinatori Bindjes deklaroi se “me sa duket halli i kryeministrit Edi Rama për ta mbyllur me dyll këtë kapitull të errët të qeverisjes së tij ka mbizotëruar mbi ligjin dhe të drejtën tonë”.

Gjatë seancës së Bindjes Demokratike në Kolegjin Zgjedhor

Sipas tij, “edhe pse kjo ishte mundësia jonë e fundit insistucionale për të provuar që procesi ishte i deformuar, asgjë nuk ndryshon në faktin që vota u tjetërsua nga përfaqësuesit e qeverisë në komisione dhe në tavolinat e numërimit”.

Patozi thekson se ankimimet kishin ardhur si pasojë e refuzimit nga KQZ-ja të pranisë së përfaqësues në komisionet e votimit dhe në grupet e numërimit të Bindjes, si dhe nga atyre që partia më e re në skenën politike gjykon si parregullsi gjatë procesit, ku sipas tij “u konstatuan shkelje të rënda në shtimin fiktiv të votuesve dhe në ndryshimin e votave në tabelën e rezultateve, sidomos në listat e këshillave bashkiake”.

Lideri i Bindjes arsyeton se ka ardhur koha për “një reforme të thellë zgjedhore, si kushti i parë për të pasur një proces normal në të ardhmen”.

Shkarkoni aplikacionin e A2