Rrëzohen paditë për 30 qershorin, Kolegji Zgjedhor mandaton këshilltarët në 7 bashki – A2

Rrëzohen paditë për 30 qershorin, Kolegji Zgjedhor mandaton këshilltarët në 7 bashki

Kolegji Zgjedhor pranoi kërkesën e Partisë Socialiste për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë në shtatë bashki të vendit.

Ky vendim, i cili është i paankimueshëm, mbyll çdo diskutim mbi procesin zgjedhor në këto bashki dhe i hap rrugë betimit të kryebashkiakëve të rinj.

Shtatë këshillat e parë të konfirmuar nga Kolegji i përkasin bashkisë së Urës Vajgurore, Devoll, Kuçovë, Konispol, Memaliaj, Përmet dhe Poliçan. PS iu drejtua Kolegjit pasi KQZ dështoi në shpërndarjen e mandateve. Ligji kërkon që tabelat e këshillave bashkiakë të votohen me 5 vota dhe vota kundër e Klement Zgurit, duke e lënë rezultatin 4 me 1, e bëri të pamundur procesin.

Më herët gjatë së hënës, Kolegji Zgjedhor rrëzoi pesë ankime të partisë Bindja Demokratike. Partia e Astrit Patozit kërkoi deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre në bashkitë Selenicë, Shijak, Kurbin, Tiranë e Berat, me pretendimin se kishte mospërputhje në numrin e votuesve dhe fletëve të votimit.

Përfaqësuesi i Bindjes nuk paraqiti prova konkrete, por vetëm hamendësime, duke shtuar si kërkesë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore për sigurimin e tyre.

Të martën Kolegji do të shqyrtojë  kërkesat e PS për shpërndarjen e mandateve të këshillave bashkiakë në 13 bashki të tjera të vendit.

Shkarkoni aplikacionin e A2