Xhafaj: Prokuroria, deri dje e mbushur me militantë, s’ka lidhje me SPAK dhe BKH

Kryetari i komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, dhe se miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend e bën këtë institucion përgjegjës për rezultatin e reformës.  “Jam krenar që isha pjesë e atij grupi që punuam për Reformën në Drejtësi. Fjalët i merr era, punët e mira mbeten”, tha ish-ministri i Brendshëm.

Në fjalën e tij në ceremoninë e 3-vjetorit të miratimit të ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugë reformimit të sistemit të drejtësisë, Xhafaj kujtoi se ka ende njerëz që vazhdojnë të punojnë për ta penguar zbatimin e reformës.

“Dikush qan hallin e drejtësisë së vonuar duke kujtuar numrin e madh të dosjeve në rafte, disa të tjerë nuk dinë se çfarë kërkojnë dhe çirren se reforma po kapet!  Harrojnë që deri dje që Gjykata e Lartë ishte aty e tëra dhe ishin mijëra çështje në raftet e saj prej vitesh ashtu sikundër janë me mijëra dosje në pritje dhe me vite vonesë apo në zvarritje dekadash në shkallët e tjera të gjyqësorit. Sigurisht më mirë një vit vonesë se sa një drejtësi e blerë dhe e shitur si mall nën pushtetin e fuqisë së pushtetit apo të fortit të parasë apo krimit. Ndërkohë që deri dje gjykata kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe çdo institucion i sistemit dhe vet karriera e gjyqtarëve e prokurorëve përcaktohej nga politika, nga vullneti i pushtetit të radhës ndërsa drejtësia e re që po ngremë përmes kësaj reforme garanton që qëndrueshmëria, karriera dhe promovimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe pushtetin, po me vlerat dhe integritetin”, tha Xhafaj.

“Prokuroria e djeshme ishte e mbërthyer nga drejtues të paaftë, të korruptuar dhe shërbëtorë militantë politikë dhe nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me institucionet e reja të drejtësisë penale, me SPAK dhe BKH të formuar me gjyqtarë, prokurorë e polic të skanuar në filtrat e vetting-ut, të emëruar mbi një proces konkurrimi pa asnjë pikë lidhje me politikën dhe kryesorja nën një monitorim të fortë ndërkombëtar nga misionet e asistencës të SHBA e BE, (OPDAT dhe EURALIUS) dhe akoma më shumë në një periudhë të paktën dy vjeçare me mandat kushtetues asistence, trajnimi dhe monitorimi prej tyre!”, shtoi ish-ministri i Brendshëm.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN