Zgjedhjet në Ukrainë, presidenti komedian konsolidon pushtetin

Ukrainasit i dhanë presidentit të tyre Volodymyr Zelenskiy, mandatin për të riformatuar politikën e vendit. Sipas exit-poll-eve ish komediani konsolidon pushtetin, duke siguruar rreth 44 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Partia, ‘Shërbyes i popullit’ regjistron kështu rezultatin më të lartë në zgjedhjet ukrainase që kur vendi  siguroi pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991-shin. Megjithatë numrat mund të mos mjaftojnë për t’i dhënë partisë një shumicë të fortë, duke e bërë të nevojshëm krijimin e një koalicioni. Zelenskiy i cilësoi zgjedhjet parlamentare si më të rëndësishme se ato presidenciale.

“Për mua personalisht dhe ekipin tim, rezultati nuk nënkupton vetëm besim të madh, por edhe shumë përgjegjësi. Ne nuk do t’i zhgënjejmë ukrainasit. Ju i njihni prioritetet tona: fundi i luftës, lirimi i të burgosurve dhe fitorja ndaj korrupsionit”, deklaroi presidenti.

Zelenskiy triumfoi në zgjedhjet presidenciale të muajit prill, por nuk ka arritur dot të caktojë ministrat që dëshiron. Sipas rezultateve paraprake 5 parti e kalojnë pragun e 5 për qindëshit për të hyrë në parlament. Në vend të dytë pozicionohet partia pro-ruse Platforma e Opozitës për Jetën me rreth 13 për qind të votave, Porzelenski e përjashton mundësinë e një koalicioni me të. Ai tha se i kishte bërë ftesë partisë se drejtuar nga ylli i rokut, Svyatoslav Vakarchuk për krijimin e një koalicioni. Pritet të hyjnë në parlament edhe partitë e drejtuara nga ish presidenti Petro Poroshenko dhe ish kryeministrja Julia Timoshenko.

Shkarkoni aplikacionin e A2