Bum turistësh në qershor, 134 mijë vizita më shumë

Rreth 134 mijë të huaj më shumë kanë hyrë në vendin tonë gjatë muajit qershor. Pas një fillimviti të ngadaltë, që duket se zbehu pritshmëritë për rritjen e turizmit, të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë për një bum vizitorësh me nisjen e sezonit veror.

Nga mbi 630 mijë hyrje të shtetasve të huaj në pikat kufitare të vendit, mbi 1/3 vijnë nga Kosova. Shqiptarët e Kosovës duket se kanë nisur më herët pushimet këtë vit, me 55% më shumë vizita.

Vendet e rajonit kanë kontribuar më tepër në këtë bum turistësh gjatë muajit Qershor, por në rritje janë edhe vizitorët nga Gjermania, Anglia, Italia, vendet nordike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, fenomeni i largimit të turistëve polakë vazhdon. Siç kishin paralajmëruar edhe tur operatorët, hyrjet nga ky grup ranë me rreth 7,4% për Qershorin. Si arsye për këtë largim jepet shtrenjtimi i çmimeve nga hotelet dhe paketat që ato ofrojnë. Në total për gjysmën e parë të vitit, në vendin tonë kanë hyrë 2,1 milionë turistë të huaj, ose 11,3% më shumë se në 2018-ën. Në rritje është edhe numri i shqiptarëve që udhëtojnë jashtë vendit, me 2,6 milionë vizita.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN