Enton Abilekaj: Reforma në drejtësi, shpresa e fundit

Për Enton Abilekajn, drejtuesin e portalit “dosja.al”, reforma në drejtësi është shpresa e fundit për vendin pasi shqiptarët janë të zhgënjyer nga të gjitha palët politike.

“Për derisa ende nuk ka filluar reforma në drejtësi, nuk është vënë në provë, ne e quajmë garanci. Duke pasur parasysh zhgënjimin e shqiptarëve nga të gjitha palët politike në vend, reforma në drejtësi është një shpresë e fundit. Zhgënjimin nga sistemi i vjetër i drejtësisë ku të fortët dominuan drejtësinë, jo vetëm kriminelët, por edhe politikanët. Tani kemi një drejtësi e cila ende nuk ka filluar punën. Prokuroria e Përgjithshme, e krimeve të rënda, nuk janë në punë ende nga drejtësia e re. Të gjithë këta do të fillojnë të funksionojnë atëherë kur të zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe më pas edhe me prokurorët”, u shpreh Abilekaj.

Më tej, ai theksoi se ende nuk mund të themi asgjë konkrete për drejtësinë e re, pasi është herët. “Por a do të ketë rezultat apo jo, deri tani ne nuk mund ta gjykojmë. Deri tani mund të themi se ka shenja negative, kryeministri, mazhoranca në disa raste mund ta kenë kapur drejtësinë, por nuk mund të themi asgjë konkrete deri në momentin kur kjo të fillojë punë”, tha Abilekaj.   

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN