Fillorja me libra të përdorur, edhe klasa e 5-të tekste falas, prindërit mund t`i blejnë vetë

Dhimbjet e gishtave dhe angazhimet familjare për fshirjen e librave në përdorim kanë kaluar. Por pas pushimeve të gjata, më 16 shtator, tekstet e përdorura do të hidhen sërish në qarkullim.  Vetëm librat e papërdorshëm për shkak të shënimeve dhe dëmtimeve nga nxënësit do të zevëndësohen me tekste të rinj.

Por drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, Zamira Gjini sqaron edhe ata prindër që këtë vit refuzojnë tekstet e përdorura për fëmijët e tyre.

“Ne kemi detyrimin që të gjithë nxënësit t’i pajisim me tekste, qoftë të përdorura apo të reja. Dhe nëse prindi do që të blejë tekste të reja është zgjedhje e tij, ne nuk e pengojmë. Por ne nuk e detyrojmë prindin që të blejë tekste të reja për nxënësin. Vetë shkollat do të bëjnë një rishpërndarje të teksteve të përdorura dhe atyre të reja në bazë të numrit të nxënësve sipas klasave”, deklaroi Zamira Gjini.

Këtë vit librat falas dhe në përdorim do t’i marrin edhe nxënësit e klasave të pesta. Fatura financiare mbulohet nga buxheti i shtetit.

Ministria e Arsimit ka vendosur që për tekstet e dëmtuara nga nxënësit dhe të papërdorshëm për brezat e tjerë, nuk do të ketë dëmshpërblim nga ana e prindërve. Por në të gjitha rastet librat, nga klasa e parë deri në të pestën, do të dorëzohen në fund të vitit shkollor.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN