Haradinaj niset në Hagë: Vetëm Rama nuk më kontaktoi pas dorëheqjes

Ramush Haradinaj udhëton sot drejt Hagës ku pritet të merret në pyetje nga Gjykata Speciale. Këtë e konfirmoi vetë kryeministri i dorëhequr gjatë një interviste për mediat lokale. Ai përsëriti edhe një herë se arsyeja e dorëheqjes kishte të bënte pikërisht me faktin se nuk dëshironte të dilte para hetuesve në cilësinë e shefit të qeverisë së Kosovës.

Haradinaj tha gjithashtu se ishte kontaktuar nga shumë liderë rajonalë, e politikanë shqiptarë, më përjashtim të kryeministrit Edi Rama. “Unë kam marrë shumë shkresa personale prej kryeministrave të rajonit, nuk kam marrë një prej Edi Ramës. Kam marrë prej kryeministrave të tjerë të rajonit, shkresa respekti, simpatie. Edhe nga personalitete si Presidenti Berisha, po se po, por edhe Presidenti Moisiu, Presidenti Meta ishte vetë këtu. Kam marrë prej Shqipërisë plot porosi përkrahëse, kam dëgjuar zotin Majko, kryetarin Basha… Vetëdija kombëtare e ka bërë të vetën atje”, u shpreh Haradinaj.

Edhe Jakup Krasniqi u nis të martën drejt Hagës, siç raportojnë mediat e Kosovës. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate u pa në orët e para të mëngjesit në aeroportin e Prishtinës, i shoqëruar nga disa zyrtarë të tjerë të partisë. Krasniqi njoftoi javën e kaluar se ishte thirrur për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN