Dosjet emergjente, KLGJ jep zgjidhje për Gjykatën e Lartë – A2

Dosjet emergjente, KLGJ jep zgjidhje për Gjykatën e Lartë

Dosjet emergjente në Gjykatën e Lartë, e dalë krejtësisht jashtë funksionit për shkak të mbetjes me vetëm dy anëtarë, do të shqyrtohen nga gjyqtarë të Gjykatave të Apelit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi unanimisht këtë zgjidhje provizore për të nxjerrë nga ngërçi shkallën e tretë të gjyqësorit. Sipas KLGJ, gjyqtarët për dosje të caktuara do të zgjidhen me short nga gjykatat e Apelit, me kushtin që të kenë mbi 13 vjet eksperiencë pune dhe të kenë kaluar vetting-un.

Kjo zgjidhje u pa si e nevojshme nga Këshilli për shkak se procedura ligjore për hartimin e rregulloreve dhe akteve për plotësimin me anëtarë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë do të kërkonte 3 muaj kohë.

Ndërkohë, në Gjykatën e Lartë janë të paktën 4 çështje ekstradimi në limitet e skadimit të afateve kohore. Nëse nuk shqyrtohen, personat e kërkuar apo të dënuar nga drejtësitë e vendeve të huaja fitojnë lirinë.

A2 CNN ka mësuar se mes tyre është Hajri Seferi, i arrestuar nga operacioni “Vol Vo 4”, i kërkuar nga drejtësia italiane dhe Robens Berberi, i dënuar me 18 vjet burg në Itali për trafik droge. Por, ndonëse kjo zgjidhje “shpëton” dosjet me objekt ekstradimin apo vuajtjen e dënimit nëvendet e tjera, në Gjykatën e Lartë janë më shumë se 32 mijë dosje që presin të shqyrtohen. 

Shkarkoni aplikacionin e A2