Luajnë kundër Ferronikelit, serbët braktisin klubin e tyre

Dy lojtarë serbë të Slovan Bratislava, skuadrës sllovake që luan të mërkurën kundër Ferronikelit në kualifikueset e Europa League, kanë braktisur skuadrën dhe nuk do të marrin pjesë në ndeshje. Vendimi është komunikuar nga vetë klubi sllovak, sipas të cilit dy lojtarët, Aleksandar Čavrič dhe Dejan Dražič, por edhe trajneri Vladimir Radenkovič kanë vendosur të respektojnë vendimin e Qeverisë së Serbisë për të bojkotuar gjithçka që ka lidhje me Kosovën.

Një vendim i përsëritur ky i lojtarëve serbë, pasi dy pjesëtarë të përfaqësueses së Malit të Zi dhe trajneri, të tre të etnisë serbe, vendosën të mos merrnin pjesë në ndeshjen kundër përfaqësueses së Kosovës të vlefshme për kualifikueset e Euro 2020, të luajtur në 7 qershor.

Por nëse në atë rast, Presidenti i Federatës së Malit të zi, Dejan Savicevic, vendosi t’i largonte nga përfaqësuesja, klubi sllovak ka deklaruar zyrtarisht se respekton vendimin e tyre për të mos qenë të pranishëm në ndeshje.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN