Paloka: Njohim 13 tetorin, por nuk hymë në zgjedhje pa kushte. Protestat nuk ndalen

Deklarata e Presidentit Ilir Meta se në 13 tetor garantonte pjesëmarrjen e një partie të opozitës në zgjedhje, ngriti pikëpyetje nëse aleatët ishin të bashkuar në qëndrimin për zgjedhjet e dekretuara nga kreu i shtetit.

Nënkryetari i PD, Edi Paloka garanton se përçarje nuk ka. “13 tetori i dekretuar nga Presidenti është datë zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve. Presidenti është i vetmi që ka të drejtën kushtetuese të dekretojë zgjedhjet. Për ne pjesëmarrja ose jo në këto zgjedhje kushtëzohet nga rrethanat e tjera dhe të njëjtin qëndrim ka edhe LSI dhe në këtë pikë, madje në asnjë pikë tjetër nuk ka ndarje”, shprehet Paloka për A2 CNN.

Por mendimet ndryshe nuk mungojnë brenda vetë demokratëve. Paloka shprehet se ka qenë mbështetës i djegies së mandateve të shtrirë në kohë. “Unë kam qenë për djegien e mandateve, por në një kronologji tjetër kohore”.

Dhe i sheh si reflektim të Arben Ristanit, kritikat e këtij të fundit se vendimi duhet të ishte konsultuar me ndërkombëtarët.

Paloka sqaron se procesi i vetëdeklarimit për të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar synon kontrollin e integritetit moral dhe profesional të zyrtarëve të cilët i kërkojnë besim qytetarëve për t’i qeverisur dhe se këtij procesi do u nënshtrohet edhe vete Lulzim Basha. Nënkryetari demokrat pranon se periudha e verës nuk ndihmon aksionin e opozitës, por protestat nuk do të ndalen.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN