“PDK nuk e donte dorëheqjen e Haradinajt. Ç’ndodh me taksën ndaj Serbisë pas zgjedhjeve?” – A2

“PDK nuk e donte dorëheqjen e Haradinajt. Ç’ndodh me taksën ndaj Serbisë pas zgjedhjeve?”

Kanë qenë ditë të rëndësishme këto të fundit për Republikën e Kosvës, pasi Kryeministri Ramush Haradinaj u nis për në Hagë, ku është thirrur sërish për t’u marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale.

Në një intervistë dhënë për A2 CNN në dhjetor të vitit të kaluar, Haradinaj është shprehur i vendosur në qëndrimet e tij, sidomos ndaj Serbisë, duke mos pranuar të heqë taksën mbi mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, me 100% të vlerës së tyre. Për Enver Bytyçin, ekspert për çështjet rajonale, “I Ftuari” i kësaj të marte te Endri Xhafo, me këtë thirrje të re, Haradinaj po vuan pikërisht pasojat e qëndrimeve të tij, edhe pse akuzat ndaj tij janë sajesa. “Ato që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve të fundit janë “dejavu” pasi të njëjtat situata, i njëjti presion është përsëritur disa herë dhe i ka ndarë palët politike në dy kampe”, tha Bytyçi.

Megjithatë, për Bytyçin, Haradinaj dha dorëheqjen në momentin më të papërshtatshëm, sidomos për rivalët e tij, Hashim Thaçi dhe Kadri Veselin. “PDK është më e painteresuara për zgjedhje të parakohshme, për shkak të kapitalit politik që ka zoti Haradinaj dhe kapitalit të tyre ta pakët politik. Ai dha dorëheqjen për të mos shkuar si Kryeministër në Gjykatën Speciale, por ata që e dërguan atje duhet të dinin që ai e ka dhënë një herë dorëheqjen dhe do ta bënte prapë”, tha Bytyçi.

Qeveria e re dhe taksa ndaj Serbisë

Bytyçi shtoi se nëse nuk do të bëheshin zgjedhje të parakohshme në Kosovë, Haradinaj do të dilte i dështuar nga kjo situatë. Po a mundet Haradinaj të fitojë zgjedhjet e ardhshme, të parakohshme. “Nuk besoj që zoti AAK do të dalë forcë fituese, por do të jetë vendimtare për krijimin e një koalicioni tjetër pas zgjedhjeve. Nëse LDK dhe Vetëvendosje do të bëjnë një koalicion parazgjedhor, atëherë është e sigurt që formojnë qeverinë e re. Nëse bëhet Kryeministër Albin Kurti, atëherë ai do ta mbajë taksën ndaj Serbisë”, u shpreh Bytyçi.

“Thaçi, peng i dosjeve. Fijet e tyre ndodhen në Beograd”

Por a është klasa politike e Kosovës peng e Gjykatë Speciale? “Në momentin kur Dick Marty ngriti akuzat, ka shkuar në Gjykatën e Hagës zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj dhe shumë njerëz në Kosovë besojnë se atë e shiti Thaçi për të shpëtuar dhe prandaj u prishën bashkë”, tha Bytyçi. “Zoti Thaçi, qëndrimin për ndryshimin e kufijve në favor të Serbisë e ka sepse është peng i dosjeve. Fatkeqësisht fijet e dosjeve ndodhen në Beograd dhe nëse mban qëndrime pro Beogradit këto fije do t’i tërheqë dhe ai do të qëndrojë në paqe”.

“Mungesat” në mesazhet mbështetëse për Haradinajn

Në mbyllje të intervistës, Bytyçi vuri në dukje edhe një tjetër fakt që tregon nivelin e marrëdhënieve mes Haradinajt dhe Kryeministrit Edi Rama. “Nga të gjithë liderët e Ballkanit, vetëm Presidenti serb, Alexandar Vucic, Kryeministrja serbe Ana Brnabic dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk dhanë një prononcim direkt në favor dhe në mbështetje të Haradinajt”, tha ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2