Basha me kryebashkiakët e djathtë, Mziu: Qeverisim deri në vendimin e Kushtetueses

Kryetari i PD Lulzim Basha mblodhi në seli drejtuesit e bashkive të djathta, ndërsa pritet që në ditët në vijim të marrin detyrën fituesit e zgjedhjeve të 30 qershorit. Kryebashkiakët e djathtë nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe nuk e pranojnë rotacionin, megjithatë nuk kanë ndërmend të qëndrojnë forcërisht në zyrat e tyre.

“Ajo që ne do të bëjmë është të vazhdojmë të qeverisim nga ato bashki deri sa të kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë ose jo të dekretit të Presidentit”, tha Xhelal Mziu, Kryetari i Bashkisë Kamëz.

“Pse ju mendoni se do të mbajmë forcërisht zyrat? Nuk janë zyrat ato që e bëjnë legjitim një kryetar. Kryetarin legjitim e bën certifikimi i zgjedhjeve, aty ku ka. Zgjedhje nuk ka pasur, do të thotë që nuk ka as kryetar që të marrë detyrën”, tha Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj.

Se si do të veprojë opozita që kryebashkiakët e djathtë të mos dorëzojnë detyrën nuk është ende e njohur, por Lulzim Basha përcolli mesazh mbështetur ndaj tyre, kur i rrahu shpatullat Xhelal Mziut. “Xhelal Mziu është Kryetari i Bashkisë Kamëz, 30 qershori është nul”, u shpreh kreu i PD.

Në fokus të diskutimit për afro 3 orë me kryebashkiakët ka qenë edhe vijimi i aksionit të opozitës. Vera do të shënojë një periudhë ndalese për sa i përket protestave, për t’u rikthyer sërish në muajin shtator.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN