Basha nga Dibra: Ky regjim ka marrë fund, koha për ndryshim

Lideri i demokratëve Lulzim Basha zhvilloi një takim me strukturat e partisë dhe simpatizantët në Dibër. Kreu i PD u ndal sërish tek kriza ekonomike që sipas tij ka pushtuar vendin dhe është ulur këmbëkryq në familjet e çdo shqiptari. Lulzim Basha premtoi se prioriteti kryesor i demokratëve kur të vijnë në pushtet do të jetë zgjidhja e problemeve jetike për çdo qytetar.

“Sot kriza ekonomike është problem numër 1 për çdo familje shqiptare, ndaj dhe prioriteti numër 1 për ne demokratët është t’i japim zgjidhje problemeve jetike për çdo shqiptar. Ta bëjmë këtë një orë e më parë dhe të ndalim zbrazjen e vendit”, u shpreh Basha.

Më tej kryedemokrati deklaroi se  projekti i Edi Ramës, ashtu si Millosheviçi është shpopullimi i Shqipërisë dhe se demokratët do ta ndalin atë.

“Dy herë janë spastruar shqiptarët në histori: nga Sllobodan Millosheviçi në Kosovë dhe janë 400 mijë shqiptarë të spastruar nga regjimi kriminal i Edi Ramës, të spastruar nga politikat e represionit, të terrorit, të shpunësimit, të gjobave, të rritjes së kostos së jetës, rritjes së çmimeve. Në qoftë se projekti i Edi Ramës është shpopullimi i Shqipërisë, ne do të kemi projekt kryesor ndaljen e këtij projekti, mbështetjen e veriut me investime, me rritje ekonomike, politika punësimi”, deklaroi kreu i opozitës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN