Deklaratat para duelit. Partizani beson, Sheriffi dhe Latifi janë të matur

Partizani do të luajë në turin e dytë kualifikues të Europa League ditën e nesërme.

Edhe këtë herë, kundërshtari është i vështirë. Të kuqtë do të jenë përballë moldavëve të Sheriff Tiraspol, një tjetër skuadër që në letër është tepër cilësore.

“E rëndësishme është që të krijojmë raste, ashtu siç bëmë kundër Qarabag. Kemi detyrimin që të bëjmë maksimumin në aspektin psikologjik, fizik dhe të përqendrimit. Fitorja vjen si rrjedhojë e këtyre elementëve. Duhet të hedhim në fushë një skuadër të ekuilibruar, që mbrohet në bllok dhe del në sulm me forca të mjaftueshme. Paraqitjet e ekipit më kanë dhënë besim për këto dy sfida ndaj Sherifit”, tha trajneri i Partizanit.

Ndërsa mesfushori Bruno Telushi u shpreh: “Sherifi është një ekip që nuk duhet mbivlerësuar, por as të nënvlerësohet. I kemi parë ndeshjet e tyre dhe do t’i godasim në pikat e tyre të dobëta”.

Ndërkohë, trajneri i Sheriff Tiraspol, Zoran Zekic, theksoi: “I kam parë ndeshjet e Partizanit kundër Qarabag. Kanë ndryshuar shumë, por edhe ne kemi ndryshuar lojtarët”.

Liridon Latifi, i cili kthehet në Shqipëri si kundërshtar, deklaroi: “Është emocion për mua kthimi në Shqipëri. Shpresoj vetëm që të jetë një ndeshje korrekte, ku të fitojë më i miri”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN