EKSKLUZIVE/ “Meta” në Komisionin e Venecias, 8 pyetjet e Hetimorit

8 janë përgjigjet që Hetimori parlamentar për Ilir Metën kërkon të marrë nga Komisioni i Venecias para se të votojë shkarkimin e presidentit.

A2 CNN u njoh eksluzivisht me përmbajtjen e dokumentit voluminoz që do t’i drejtohet kësaj strukture të rëndësishme konsulence në hartimin e ligjeve.

Deputetët e Komisionit Hetimor bëjnë një rezyme të gjithë situatës që nga caktimi i datës së zgjedhjeve nga kreu i shtetit, djegia e mandateve të opozitës, zëvendësimi i deputetëve, mosregjistrimi i LSI-së e PD-së ne zgjedhje, djegia e KAZ-ve në bashkitë jo socialiste, zhvillimi i procesit elektoral pa incidente dhe deri te ngritja e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit.

Në shkresën që do të përcillet në Strasburg e përkthyer në Anglisht, e firmosur nga kryetari i Kuvendit Ruçi, përmendet dhe vendimi i Kolegjit për mosregjistrimin e Idajet Beqirit nga gara e 30 qershorit dhe konsiderimin e dekretit të Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve si akt administrativ nul.

A2 CNN arriti të zbardhë 8 pyetjet që deputetët e drejtuar nga Ulsi Manja, kanë përgatitur për Venecian. Së pari, kërkohet sqarim për rolin e Presidentit në proceset zgjedhore, në regjimet parlamentare si Shqipëria, në raport me pushtetet e tjera?

A cenohet siguria kushtetuese nga anulimi i datës së zgjedhjeve dhe caktimi i një date tjetër, ndërsa KQZ kishte nisur punën?

A quhen 2 dekretet e fundit të Presidentit si ndërhyrje në procesin zgjedhor, duke cenuar të drejtën e subjekteve për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe të lirë? Deputet ngrenë pyetje dhe për sigurinë juridike dhe parimin e periodocitetit të zgjedhjeve.

Për këto pyetje gjasat janë që të merret përgjigje në tetor, kur është sesioni i radhës i punimeve të Komisionit të Venecias. Ndërsa Gjykata Kushtetuese që ka fjalën e fundit në shkarkimin e Presidentit pritet të ngrihet po rreth asaj periudhe.

***

1. Roli i Presidentit në proceset  zgjedhore, në regjimet parlamentare si Shqipëria, në raport me pushtetet e tjera?

2. kushtetuta dhe Konventat a kanë detyrime që i imponohen Presidentit, në ushtrimin e kompetencës për caktimin e datës së zgjedhjeve? 

3. A ka kufizime në ushtrimin e kësaj kompetence nga e drejta e zgjedhësve për votuar?

4. Kompetenca e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, është një e drejtë apo detyrim për ushtrimin e sovranitetit te popullit?

5. A cenohen parimet e së drejtës për të zgjedhur dhe të sigurisë kushtetuese, nga anulimi i datës së zgjedhjeve dhe caktimi i një date tjetër nga Presidenti, organet e administrimit të zgjedhjeve kanë nisur punën?    

6. A kemi ndërhyrje të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor, duke cenuar të drejtën e subjekteve zgjedhore për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe të lirë?

7. A e respekton parimin e periodocitetit të zgjedhjeve dekreti për anulimin e 30 Qershorit 2019? 8. A konsiderohet cenim i sigurisë juridike ndryshimi i datës së zgjedhjes? A lidhet cenimi i sigurisë juridike me pasojat që vijnë apo mjafton shkelja e parashikimeve kushtetuese dhe cenimi konsiderohet i kryer?

Shkarkoni aplikacionin e A2