Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Kriza vazhdon, Krasniqi: PS dhe PD iu referohen britanikëve, por nuk bëjnë si ata

Nga A2 CNN
24 Korrik 2019, 12:27 | Politikë
Kriza vazhdon, Krasniqi: PS dhe PD iu referohen britanikëve, por nuk

Kreu i Institutit të Studimeve Politike, analisti Afrim Krasniqi, ishte i ftuar në Ditarin e orës 09:00 nga ku u shpreh se dy partitë kryesore në Shqipëri, PS e PD, iu referohen partive në britanike, por veprojnë ndryshe nga ato.

Ai theksoi se kalbja e sistemit politik në vendin tonë vjen nga partitë politike.

“PS, në vitin 2016 kur ndryshoi statusin, mori statusin e Partisë Laburiste britanike. Koha tregoi se asnjë nga pikat e këtij modeli nuk është zbatuar në këtë parti, përfshirë edhe procesin zgjedhor. Po ashtu edhe në PD, kemi një ekip të ardhur nga Partia Konservatore britanike, që ka rreth një vit që po rregullon dokumentet statututore, me idenë për të bërë zgjedhje si në Britani. Por ne pamë që para dy ditësh përfundoi gara në Partinë Konservatore në raundin e gjashtë dhe u zgjodh një kandidat i cili fillimisht nuk kishte shumicën dhe ishte i kritikuar në parti. Krahasimi im është se çfarë ndodh në Shqipëri. Në historinë e partive politike shqiptare çdo individ që ka rrezikuar për të konkurruar, apo ka marrë kurajën për të konkurruar, është përjashtuar automatikisht dhe është jashtë politike. Kjo tregon se baza kryesore e kalbjes së sistemit politik janë partitë politike”, tha Krasniqi.

Krasniqi bëri me dije se ditët e fundit ndërkombëtarët kanë nisur përpjekjet për negociata mes palëve dhe shtoi se OSBE-ja do të kërkojë që kriza të zgjidhet përpara muajit janar.

“Ka pasur ditët e fundit disa drafte qarkulluese në kancelaritë ndërkombëtare në raport me PS-në dhe PD-në. Ka nisur një lloj përpjekjeje e disa faktorëve ndërkombëtarë për të negociuar disa pika. Dje, kryeministri tha se e vetmja gjë që nuk negociohet është Reforma në Drejtësi, kur në fakt nuk ia ka kërkuar njeri që të negociojë. Pra, ai kërkon negociatë për këtë reformë. Ka pasur edhe deklaratë nga demokratët që thonte “nuk dialogojmë me kryeministrin, por me kreun e PS-së”. Këto janë lojra fjalësh. Këto ditë ka një delegacion të nivelit të lartë të OSBE-së që pritet të vijë në Shqipëri, pasi vendi ynë e merr drejtimin e saj në janar. Imagjinoni pak Shqipërinë që merr OSBE-në dhe ministri i Jashtëm i vendit tonë, që është kryeministri, të negociojë krizat kur pjesë e krizës është vetë. Kemi një situatë paradoksale dhe duke qenë një rast i madh për vendin, kam përshtypjen se mesazhi kryesor që do të vijë nga OSBE-ja është që të zgjidhet kriza para janarit, dhe Shqipëria rrezikon të mos e marrë drejtimin nëse vazhdon në krizë politike”, sqaroi Krasniqi.

Më tej, Krasniqi theksoi se Shqipëria “nuk mund të qeveriset vetëm me një parti”: “PS-ja nuk ka kapacitetet. Nuk ka vend në botë ku ministri i Jashtëm emërohet Sekretar për Rininë në parti. Është i vetmi njeri që nuk ka lidhje me strukturën e brendshme të partisë dhe u emërua koordinator i partisë. Është tallje e madhe me shtetin”.

Në lidhje me Presidentin Ilir Meta, Krasniqi mendon se Kreu i Shtetit “duhet të ketë një staturë shumë më serioze dhe institucionale”.

“Është një analist i mirë në media, po sillet si analist. Presidenti duhet të ketë një staturë shumë më serioze dhe institucionale. Siç duket, ngacmimet e brendshme e nxisin për të kaluar nga kostumi i Presidentit te kostumi i plazhit. Kur Presidenti kalon limitet diplomatike dhe komunikon me publikun me një gjuhë që i lejohet një analisti ose një individi të thjeshtë, deri diku dëmtohet ai që quhet integriteti i Presidencës dhe krijohet përshtypja që kushdo në këtë vend mund të jetë President. Ne presim nga Presidenti sjellje shumë më institucionale. Në rastin konkret gjërat kanë shkuar shumë larg sepse mazhoranca ka ndërmarrë një akt të pashembullt: ka caktuar disa individë për të shkarkuar Presidentin, 2-3 prej të cilëve nuk kanë lexuar kurrë një libër drejtësie. Pyetja është: si mund të caktosh Gjykatën Kushtetuese kur Presidenti zgjedh 3 individë dhe në shtator, kur shkarkon Presidentin, është periudha kur Presidenti duhet të zgjedhë 3 anëtarë. Këtu ka një lojë dhe një konsensus të fshehur mes palëve që të mos zgjidhet Gjykata Kushtetuese dhe strukturat e drejtësisë”, tha Krasniqi.

A2 CNN Livestream

Dita jonë