Njeriu që futi në burg El Chapo-n, tani ka një objektiv të ri

Në historitë e karteleve të drogës dhe kriminelëve më famëkeq, rrallëherë flitet për personin ose personat që arrijnë t’i arrestojnë dhe t’i dërgojnë pas hekurave. Në rastin e bosit të kartelit të Sinaloas, Joaquin El Chapo Guzman, njeriu që më në fund arriti ta nxirrte para drejtësisë është agjenti special i DEA-s, Ray Donovan. Iu deshën 7 vite punë e pareshtur që të fundoste El Chapo-n, të konsideruar si trafikantin më të rrezikshëm në botë, që pas vdekjes së Pablo Escobar-it në vitin 1993.

Si shpërblim për punën e përkushtuar, agjenti special nga Nju Jorku mban në zyrën e tij një “suvenir” nga operacioni, bluzën të cilën El Chapo mbante veshur kur u esktradua nga Meksika për në Shtetet e Bashkuara në 19 janar 2017.

Pas vitesh përpjekjesh dhe provash për ta kapur, 48-vjeçari thotë në një intervistë për AFP se tashmë DEA (Drug Enforcement Administration) di edhe se çfarë mendon El Chapo. “Është ëndrra e çdo agjenti që t’i vihet pas njërit prej trafikanëtëve më të mëdhenj të botës”, shprehet ai. “Nuk mendoj se kishte shumë njerës që besonin se ne do ta kapnim. Ekzistonte një mit se ai ishte i paprekshëm”.

Donovan kujton momentet e dëshpërimit, kur El Chapo arratisej nga burgu, por nuk ngurron të vlerësojë marinsat meksikanë që arritën ta kapnin përfundimisht në janar 2016. “Pa vullnetin e tyre për të bashkëpunuar nuk kishte asnjë mundësi që El Chapo të ishte sot në Kolorado”, kujton Donovan.

El Chapo Guzman transportohet për në burgun e sigurisë së lartë në Kolorado.

Me dërgimin e Guzman-it në burgun e sigurisë së lartë në Kolorado, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm, cikli i El Chapo-s është mbyllur. Por jo puna e agjentit special, i cili tani kryeson zyrën e DEA-s në Nju Jork. Tashmë, objektivi i tij është një tjetër meksikan: Rafael Caro Qintero, bashkëthemeluesi i Kartelit të Guadalaharas, organizatë famëkeqe në vitet 1970-’80 tashmë e shkatërruar. Në vitin 1985, Quintero ishte pjesë e grupit që urdhëruan vrasjen e agjentit të DEA-s Enrique Camarena, një histori që tregohet edhe në serialin e Netflix, Narcos Mexico.

Rafael Caro Qintero, objektivi i ri i DEA-s.

Qeveria amerikane ka vënë në dispozicion 20 milionë dollarë për këdo që jep informacione që do të çojnë në arrestimin e Quintero-s. “Deri sa ta kapim, nuk do të ndalemi. Ai është prioriteti ynë kryesor tani”, thotë Donovan. “E kemi personale”. Nëse kapet, edhe ai do të ekstradohet për në SHBA. “Të gjithë kriminelët kanë frikë vetëm një gjë: sistemin amerikan të drejtësisë”, thotë Donovan. Quintero u arrestua në vitin 1985 dhe u dënua në Meksikë me 40 vite burg, por në vitin 2013 u la i lirë nga Gjykata për një kleçkë teknike. E kur Gjykata vendosi të nxirrte sërish një urdhër arresti, ai tashmë ishte zhdukur. “DEA nuk e njeh shprehjen “lufta kundër drogës”, ne shohim se po kryhen krime federale dhe veprojmë”, thotë Donovan.

Shkarkoni aplikacionin e A2