Policia tërhiqet nga Teatri Kombëtar, Basha – protestuesve: Jeni etaloni i ri i qëndresës – A2

Policia tërhiqet nga Teatri Kombëtar, Basha – protestuesve: Jeni etaloni i ri i qëndresës

Mbrëmja ka qenë sërish e tensionuar para Teatrit Kombëtar, ku përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të shoqërisë civile por edhe ish-deputetë të Partisë Demokratike, janë ngujuar brenda në godinë për të penguar prishjen e tij.

Protestuesit janë përleshur me forcat e Policisë, të vendosura aty që prej orëve të para të mëngjesit, madje për disa çaste kanë arritur të çajnë gardhin e formuar prej tyre. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, tha për A2 CNN se, edhe pse kishte qenë brenda godinës dhe kishte dalë për pak çaste, nuk po lejohej të futej më.

Pas disa orësh me konfrontime mes protestuesve dhe Policisë, kjo e fundit është tërhequr duke lejuar që ata t’i bashkohen atyre që janë ngujuar brenda godinës së teatrit që prej paradites.

Rreth orës 22:30, protestuesve iu bashkua edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili falënderoi njerëzit e mbledhur pranë Teatrit Kombëtar. “Ju jeni krenaria dhe frymëzimi për çdo qytetar që e do Shqipërinë si gjithë Europa. Jeni që sot e tutje etaloni i ri i qëndresës së bashkimit të qytetarëve kundër së keqes”, tha Basha.

“Kjo godinë është kujtesë e trashëgimisë kulturore dhe tregues i qytetarisë së Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Beteja duhet dhe do të vazhdojë deri në fitoren e qytetarëve dhe vlerave europiane, të kulturës mbi antikulturën. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Tiranës dhe mbështetësit tanë të jemi nesër të gjithë këtu, sepse brenda kësaj godine do të nënshkruhet marrëveshja me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, shtoi ai.

Situata ka qenë e tensionuar gjatë gjithë ditës, ku artistë dhe përfaqësues të opozitës kanë qëndruar aty pasi kanë marrë njoftim se ambientet e Teatrit po zbrazeshin. Bashkia e Tiranës ndërkohë ka konfirmuar se shembja e godinës nuk do të bëhej gjatë ditës së sotme.

Çfarë ka ndodhur gjatë ditës?

Shkarkoni aplikacionin e A2