Presidenti Meta: Rrethimi i Teatrit, një turp, policia të mos dhunojë artistët – A2

Presidenti Meta: Rrethimi i Teatrit, një turp, policia të mos dhunojë artistët

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale për situatën e tensionuar përpara Teatrit Kombëtar, ku forca policie kanë rrethuar godinën, pas ka nisur zhvendosja e objekteve për t’i hapur rrugë prishjes së tij.

Sipas Kreut të Shtetit, rrethimi i Teatrit me policë dhe përplasjet me komunitetin e artistëve janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.

Ilir Meta i bën thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë fizikisht ata.

Postimi i plotë i Presidentit Meta

“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare.

As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90!

Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!”

Shkarkoni aplikacionin e A2