Protestë kundër shembjes së Teatrit, Meta dërgon në Kushtetuese ligjin. Rama: S’mund ta marrë peng asnjë minorancë

Mëngjesin e të mërkurës policia rrethoi Teatrin Kombëtar për të larguar një grup qytetarësh dhe artistësh që nuk lejonin largimin e materialeve nga godina.

Me kalimin e orëve, situata u tensionua kur disa aktivistë tentuan të futen në godinë nga pjesa e pasme e saj, por u ndaluan nga forcat e rendit. Përballë kordonit policor, u përlot aktori Neritan Liçaj.

Aktivistëve iu shtuan edhe funksionarë të opozitës, ndërkohë që përplasjet me policinë u kthyen kur u tentua përsëri çarja e kordonit dhe hyrja në godinë.

Gjatë këtyre përplasjeve, një qytetar mbeti i plagosur. Protestuesve iu bashkua edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili akuzoi qeverinë se me projektin e teatrit të ri po tenton të pastrojë paratë e drogës. Vetë Basha, së bashku me disa artistë dhe zyrtarë të opozitës, arritën të çanin kordonin dhe të hynin në godinë.

Nga skena, artistët bënë thirrje për ndërtimin e një teatri të ri pa prishur godinën ekzistuese, ndërsa komentuan edhe mungesën e kolegëve të tyre që nuk mbështesin më protestën. Regjisori Edmond Budina tha: “Unë mendoj se një pjesë e tyre janë të shantazhuar, janë të kërcënuar dhe një pjesë mund të kenë marrë edhe ndonjë përfitim nëpërmjet projekteve”.

Basha shfrytëzoi mundësinë për t’u koordinuar me disa prej artistëve dhe para se të largohej nga godina tregoi në mikrofonin e A2 CNN se për çfarë kishin rënë dakord: “Ka afro një muaj që është përgatitur një marrëveshje, nuk ka lidhje me ngjarjen e sotme. Marrëveshja do të nënshkruhet nesër”.

Autoritetet ndërprenë energjinë elektrike në godinë, pikërisht ndërsa A2 CNN raportonte live.

13:35 – “Teatri” në Kushtetuese, Meta: Krim kushtetues, kombëtar e kulturor

Pasi depozitoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpallen antikushtetuese të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar, Ilir Meta foli për gazetarët duke thënë se ky ligj është krim kushtetuese kombëtar dhe kulturor.

“Dua të theksojë rëndësinë e madhe që ka akti im sot, I cili është në koherencë të plotë me përpjekjet e mia të qwndrushme në raport me qeverinë dhe institucionet vendore të përfshira në këtë proces kriminal të kapjes flagrante të shtetit dhe njëkohësisht në kundërshtim të plotë edhe me interes kombëtare të vendit tonë. Ky ligj është një simbol një kryevepër ku si asnjëherë tjetër të kryhet në harmoni të plotë një krim kushtetues, një krim kombëtar dhe e gjitha kjo në interes ë oligarkëve.

Gjykata Kushtetuese jo funksionale…

Dua t’iu siguroj të gjithë se kam ardhur këtu për të garantuar se Shqipëria do të jetë një vend I sundimit të ligjit dhe të popullit. Boll me sundimin e oligarkëve. Do të veprojë drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare ndaj rilindasve që e kanë lënë vendin edhe pa Gjykatë Kushtetuese. Nuk jemi rastësisht pa gjykatë Kushtetuese dhe fajin nuk e ka reforma. Pa gjykatë Kushtetuese vendin e la Ramaforma, që përpiqet më të gjitha format e veta për ta kapur këtë institucion. Drejtësia do të veprojë një ditë për këtë krim që është shkatërrimi i Teatrit Kombëtar.

Nuk ka forca në botë që më ndalon mua si President për të vënë përpara drejtësisë rilindësit lokalë dhe ndërkombëtare”, tha Meta.

12:33 – Reagon Rama: Asnjë minorancë nuk mund të marrë peng asgjë e askënd në këtë vend

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve të paradites së të mërkurës jashtë godinës së Teatrit Kombëtar.

“Asnjë minorancë nuk mund të marrë peng asgjë e askënd në këtë vend. Megjithë respektin për një minorancë aktorësh teatri dhe politikanësh që s’kanë hyrë kurrë në teatër, po janë mësuar të bëjnë teatër me çdo gjë, Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse. Teatrin e ri Kombëtar e kërkon kryeqyteti, vendi, kombi e shumica e komunitetit të artistëve të skenës. Njësoj si Stadiumi i Ri kombëtar ai do të jetë një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë që duam. Kush s’është dakord është i respektuar, po s’ka as mandat as të drejtë të pengojë.”, shkruan Rama në Twitter.

12:23 – Reagon Veliaj: Lajm i mirë që Basha e viziton

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar praninë e kryedemokratit Lulzim Basha në protestën që po zhvillohet para godinës së Teatrit Kombëtar.

Përmes një postimi në “Twitter”, Veliaj e ka quajtur një lajm të mirë shkuarjen e Bashës në teatër, pas shumë vitesh teatër në politikë. Sipas tij, Tirana do të fitojë sërish ashtu siç ndodhi me Lodrat, Pazarin e ri apo investime  të tjera në kryeqytet.

“Lajm i mirë që pas kaq vitesh teatër në politikë, Lulzim Basha shkon për herë të parë në Teatër dhe s’besoj tallashi i ngjan ndonjë teatri në Holandë, ku më i fundit është Theatre de Stoep! Por si tek Lodrat, Pazari, Bulevardi e Sheshi, Tirana do fitojë sërish” shkruan në rrjetet sociale, Erion Veliaj.

12:00 – Meta dërgon në Kushtetuese ligjin për shembjen e Teatrit

Thuajse një vit më parë, Presidenti Ilir Meta ktheu në Kuvend ligjin për prishjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa Kuvendi e rrëzoi dekretin e tij.

Ditën e sotme u rikthyen sërish tensionet për godinën e Teatrit Kombëtar, e cila në mëngjes ishte e rrethuar nga forcat e policisë. Artistë, aktivistë, ish-deputetë të PD dhe kreu i opozitës Basha protestuan kundër prishjes së godinës.

Në këtë situatë, fillimisht Presidenti Meta reagoi me anë të një statusi në “Facebook”, duke i quajtur të turpshme ato që po ndodhnin të teatri. Më pas, me anë të një njoftimi, Presidenca bën të ditur se Meta do të shkojë sot në ora 13:00 në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Megjithëse vendimmarrja e saj vijon të jetë e bllokuar për shkak të mungesës së anëtarëve.

11:55 – Basha, marrëveshje me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit

Mësohet se gjatë së enjtes, kreu demokrat Lulzim Basha do të publikojë detaje nga marrëveshje me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit. Mësohet se pika kryesore e kësaj marrëveshje është rikonstruksioni dhe jo shembja.

10:50 – Bie nga lartësia jashtë Teatrit, lëndohet një person

Një qytetar ka mbetur i lënduar pasi ka rënë nga lartësia jashtë ambienteve të Teatrit Kombëtar. Qytetari u transportua më pas me ambulancë në spital.

10:42 – Meta: Rrethimi i Teatrit, një turp, policia të mos dhunojë artistët

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale për situatën e tensionuar përpara Teatrit Kombëtar, ku forca policie kanë rrethuar godinën, pas ka nisur zhvendosja e objekteve për t’i hapur rrugë prishjes së tij.

Sipas Kreut të Shtetit, rrethimi i Teatrit me policë dhe përplasjet me komunitetin e artistëve janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.

Ilir Meta i bën thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë fizikisht ata.

10:37 – Artistë, aktivistë dhe ish-deputetë dhe kreu i PD, Lulzim Basha, çanë kordonin e policisë dhe u futën brenda godinës së Teatrit Kombëtar.

10:34 – Arben Malaj në mbrojtje të Teatrit: Ruçi të mbledhë menjëherë deputetët

Ish-deputeti i PS dhe anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj, për të cilin kohët e fundit mazhoranca kërkoi shkarkimin nga detyra, iu bashkua artistëve dhe aktivistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Për Mediat, Malaj u shpreh se kryetari i Kuvendit duhet të mbledhë menjëherë deputetët dhe të ndërmarrë një ligj për Teatrin.

“Nëse qeveria nuk bën vendim qarkullues që ta bllokojë deri ditën e fillimit të punimeve, që mund të jetë deri në 2 vite, mosprekjen e Teatrit dhe dhënien e qeverisë publike artistëve dhe popullit tim i takon Kuvendit. I takon në radhë të parë, Gramoz Ruçit të mbledhë deputetët që janë me pushime dhe të ndërmarrë një ligj me vetëm një paragraf: Ndalohet ndërhyrja te Teatri dhe ndalohen aktivitetet te Teatri Kombëtar”, tha Arben Malaj.

10:21 – Basha: Skemë e pastër mafioze, në mbështetje të artistëve

Grupit të artistëve dhe aktivisteve u bashkuan paraditen e sotme edhe ish-deputetë të PD, si edhe kreu i kësaj partie Lulzim Basha.

Ai u shpreh para gazetarëve se kjo është një skemë mafioze. Ai tha se opozita do të jetë në mbështetje të artistëve dhe nuk do të lejojë shembjen e Teatrit.

“Ky është një projekt grabitje, një projekt kriminal. Kjo ka qëllim grabitjen e kësaj toke, me një arkitekt të dënuar në Itali. Është një skemë e pastër mafioze për të pasuruar Ramën dhe një grusht hajdutësh për të pastruar paratë e drogës. Teatrin e kanë mbrojtur artistët dhe aleanca. Ne do të jemi në mbështetje të tyre. Çdo përpjekje për të hapur gropë te Teatri do të kthehet në gropën e Edi Ramës. Më në fund, duket qartë se nuk kemi një qeveri, por kemi një bandë. Kjo që po ndodh këtu do të ndodhë edhe në shtëpitë e shqiptarëve. Ta zhbëjmë këtë bandë. Aleanca për Teatrin ka përcaktuar aksionin, ne do të jemi në mbështetje të tyre”, tha Basha.

***

Forca të shumta policia kanë rrethuar në orët e para të mëngjesit godinën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në fillim në vend ishin të pranishme forca të policisë private dhe më pas atyre iu janë bashkuar dhe efektivët e Policisë së Shtetit.

Me kalimin e orëve është tensionuar dhe situata ku aktivistët e Aleancës për Mbrojtjes e Teatrit, aktorë, qytetarë dhe përfaqësues të opozitës janë përplasur me efektivët e policisë dhe kanë tentuar të çajnë kordonin e tyre.

Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se sot nuk do të nisë shembja e ndërtesës, por do të largohen materialet të cilat do të dërgohen tek teatri Turbina. Sipas burimeve, prezenca e Policisë është bërë e nevojshme pasi Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk lejon zhvendosjen e këtyre materialeve.

Përfaqësues të opozitës, shoqërisë civile dhe aktorëve prej disa kohësh e kalojnë natën në oborrin përpara Teatrit Kombëtar dhe sipas tyre heqja e objekteve ka nisur prej disa ditësh fshehurazi.

Shkarkoni aplikacionin e A2