Siguria ushqimore, zv/ministri i Bujqësisë: Jemi nga më të mirët në rajon

Shqiptarët janë të pasigurtë për ushqimet që blejnë dhe konsumojnë çdo ditë. Jo vetëm për mënyrën sesi tregtohen, mes pluhurit baltës dhe ndotjes esktreme, por edhe si rriten e si arrijnë në tregje.

Qumështi në bidona plastikë dhe produktet e bulmetit në buzë të rrugës janë ende një realitet në Tiranë dhe në rrethe, ku situata është edhe më e rëndë. Produkte që rriten artificialisht me hormone, pesticide dhe spërkatës që përdoren rëndom nga fermerët dhe që nuk kalojnë në asnjë filtër kontrolli. Ushqime që na vrasin e për të cilat askush nuk mban përgjegjësi. 

Në periudhën e verës, rreziku shtohet edhe më shumë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton për kontrolle në shumë subjekte dhe për bllokim të atyre që tregtojnë jashtë standardeve. Por, sa arrijnë të kontrollohen të gjitha pikat e shitjeve të produkteve ushqimore dhe tregjet në Shqipëri? Sa garanci japin institucionet shtetërore për sigurinë ushqimore?

Sipas Dhimo Kotes, zv/ministër i Bujqësisë, “ne jemi nga më të mirët në rajon” përsa i përket sigurisë ushqimore.

“Po diskutohet për prodhimet dhe problemet e tyre. Sot në Shqipëri qarkullojnë produkte të mbrojtjes së bimëve të njëjta me ato në Bashkimin Evropian. Hoqëm TVSH-në e imputeve bujqësore duke eliminuar kontrabandën”, tha Kote në “A2 Business Week”.

Në lidhje me problematikën e shalqirit, zv/ministri tha: “Dua të sqaroj se ne jemi mësuar të hamë shalqi të pashartuar. Në të gjithë botën, shalqiri mbillet i shartuar me kungull dhe kjo po ndodh edhe këtu. Nuk ka rrezik aspak konsumimi i shalqirit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2