Kabineti i Johnson, Kryeministri britanik mban mbledhjen e parë të qeverisë – A2

Kabineti i Johnson, Kryeministri britanik mban mbledhjen e parë të qeverisë

Boris Johnson mbajti takimin e parë me kabinetin e ri, përpara adresimit si kryeministër në Dhomën e Komunëve. Shefi i qeverisë së re u dha role kryesore figurave që mbështetën Brexit. Dominic Raab dhe Priti Patel rikthehen në ekzekutivin britanik si ministër i Jashtëm dhe i Brendshëm. Sajid Javid u emërua në postin e Kancelarit të Financave, pasi më shumë se gjysma e kabinetit të vjetër të Theresa May dhanë dorëheqjen ose u shkarkuan.

Johnson rezervoi detyra të rëndësishme për Stephen Barclay, që ruan postin si Sekretar për Brexit dhe për Michael Gove, i cili do të merret kryesisht me planin e veprimit në rast një largimi pa ujdi nga Bashkimi Europian. Pikërisht tema më e nxehtë e momentit, ajo për Brexit, shoqëroi dhe mbledhjen e parë të qeverisë britanike.

“Ne jemi të përkushtuar, të gjithë ne, të largohemi nga Bashkimi Europian më 31 tetor, ose më përpara, nuk ka nëse apo por. Megjithatë nuk do të presim deri më 31 tetor për të nisur një axhendë fantastike për vendin tonë dhe kjo nënkupton përmbushjen e prioriteteve për qytetarët”, tha kryeministri Johnson.

Pavarësisht emërimeve të reja, përçarjet brenda Partisë Konservatore janë të dukshme. Ish Sekretari i Punëve të Jashtme, Jeremy Hunt zbuloi se i është ofruar një rol alternative në kabinetin e Johnson, por të cilin e refuzoi. Gjithashtu përçarja është reflektuar edhe tek qytetarët britanikë, që presin kaos në temën Brexit, për shkak të qëndrimeve të njohura të kryeministrit Johnson. 

Shkarkoni aplikacionin e A2