Legjendat e futbollit mbarëkombëtar në Prishtinë në nder të Fadil Vokrrit

Legjendat nuk vdesin kurrë. Ata janë gjithmonë të pranishëm me veprat e mëdha që kanë lënë pas. Për të nderuar figurën e Fadil Vokrrit, një prej emrave më të mëdhenj të plejadës së futbollit, në Prishtinë u mblodhën legjendat nga mbarë trojet shqiptare. 

Agim Ademi, President i Federatës së Futbollit të Kosovës, u shpreh: “Madhështinë e tij e tregojnë veprat që ka kryer dhe prezenca e shumë miqve të tij”.

Aktiviteti, i cilësuar si kampionati i veteranëve, nisi me ceremoninë përkujtimore në memorialin ku prehet trupi i legjendës së futbollit. Fadil Vokrri është njeriu që bëri të mundur anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, por kontributi i tij është më i hershëm, prej kur ishte një prej yjeve të Partizanit të Beogradit.

Pavarësisht periudhës së vështirë politike, ai cilësohej ambasadori i futbollit shqiptar, ndërsa të paharrueshme mbeten ndeshjet me Flamurtarin në vitin 1987, ku golit të Vokrrit, Sokol Kushta iu përgjigj me një perlë e cila i dha vlonjatëve kualifikimin. 

Pjesë e turneut në stadiumin e Prishtinës, që mban emrin e Fadil Vokrrit, ishin yjet e së kaluarës nga Kosova, Ilirida dhe ish-futbollistët e Flamurtarit të Vlorës. 

Vasil Ruci theksoi: “Kosova na dha një mësim të madh, na mblodhi për një person që bëri punë të mëdha. Ia vlejti rruga për Fadil Vokrrin”.

Nën moton “Legjendat nuk vdesin kurrë”, aktiviteti, i cili përkon me ditën e lindjes së Fadil Vokrrit, synohet të kthehet në traditë të përvitshme.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN