Meta takon Gremingerin, i kërkon ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës – A2

Meta takon Gremingerin, i kërkon ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës

Ilir Meta i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger ndërmjetësimin sa më parë të jetë e mundur midis palëve në vend për zgjidhjen e krizës politike.

“Për rivendosjen e funksionimit normal të institucioneve demokratike dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës mjaft kritike ku ndodhet vendi, është në interes të kredibilitetit të OSBE, të angazhohet për tejkalimin e krizës së rëndë në Shqipëri sa më parë të jetë e mundur. Ky angazhim do të shërbejë si mundësi tepër e rëndësishme për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por dhe konsolidimit të lidershipit të Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, gjatë marrjes së Kryesisë së Rradhës së OSBE”, theksoi Meta.

Në janar të 2020-s Shqipëria do të marrë presidencën e radhës së OSBE. Për të parë nëse vendi është gati, Tiranën e vizitoi Sekretari i Përgjithshëm, Thomas Greminger.

A është e gatshme OSBE të ndërhyjë për zgjidhjen e krizës, ishte pyetja e A2 CNN për të. 

“Shpresojmë që ngërçi aktual politik të kapërcehet shpejt. Zgjidhja duhet të gjendet brenda për brenda. Ajo çfarë bëjmë ne si platformë për dialog gjithëpërfshirës, është që ne inkurajojmë dialogun.  Që Shqipëria të bëjë përparime të mëtejshme, të gjithë aktorët politikë duhet të angazhohen për funksionimin e plotë dhe të shëndetshëm të proceseve demokratike. Pjesëmarrja në institucionet demokratike është e vetmja rrugë për të patur influencë politike. Dialogu të realizohet duke respektuar Kushtetutën dhe institucionet legjitime. OSBE është e gatshmë të ofrojë mbështetje, por asnjë zgjidhje nuk mund të jetë e qenësishme nëse të gjithë aktorët politikë nuk angazhohen”. 

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, A2 CNN pyeti edhe ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj nëse mazhoranca është e gatshme të bëjë lëshime për zgjidhjen e krizës, para marrjes së Presidencës. Cakaj u përgjigj kështu: “Ne mbesim të hapur për dialog. Po ashtu, jemi të gatshëm të fillojmë menjëherë punën me të gjitha partitë politike për të negociuar mbi reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR”.

Thomas Greminger nuk pranoi t’i jepte një notë zgjedhjeve vendore, duke ruajtur qëndrimin e faktorit ndërkombëtar se fjala i duhet lënë Gjykatës Kushtetuese: “Ligjshmëria e zgjedhjeve vendore duhet të përcaktohet nga institucionet shqiptare dhe jo komuniteti ndërkombëtar. Ne presim që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të sillen në mënyrë profesionale. Sa i takon emërimit të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, do të varet nga vendimmarrja e institucioneve të brendshme nga Gjykata Kushtetuese”. 

OSBE ka shprehur vërejtje edhe për ligjin e ri të medias të hartuar nga qeveria, të cilën e ftoi të bënte ndryshimet e nevojshme të adresuara nga organizata: “Paketa e reformës për lirinë e shtypit duhet të përmirësohet, pasi deri tani nuk janë reflektuar ndryshimet e mundshme që janë rekomanduar”. 

Thomas Greminger takoi në Tiranë edhe kryeministrin Edi Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2