Paralajmërimi për biznesin: Mos hiqni shiritat e bllokimit – A2

Paralajmërimi për biznesin: Mos hiqni shiritat e bllokimit

Bizneset që heqin shiritat e bllokimit të Hetimit Tatimor do të ndiqen penalisht. Paralajmërimi ka ardhur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë inspektimit në terren në zonën e Shëngjinit, ku ka kërkuar nga bizneset që të mos thellojnë më tej paligjshmërinë.

“Në Shëngjin kemi konstatuar një situatë të pazakontë, sidomos me heqjen e shiritave të bllokimit të vendosura nga Hetimi Tatimor, nga vetë subjektet. Kjo është e patolerueshme. Ju lutemi të bashkëpunojmë deri në fund për t’u regjistruar dhe për t’u formalizuar. Shiritat nuk mund të hiqen, pasi kjo ju çon në shkelje të mëtejshme të ligjit, deri në ndjekje penale dhe kjo nuk është ajo që dëshirojmë. Kërkojmë zbatimin e plotë të ligjit, në çdo hap të tij. Ndaj jini krah nesh dhe na ndihmoni në zbatimin e rregullave të duhura në të gjitha aspektet”, u shpreh Denaj.

Në ndihmë të formalizimit të bizneseve, Administrata Tatimore ka vënë në dispozicion të tyre edhe punonjësit e Shërbimit të tatimpaguesve të cilët do të asistojnë subjektet në plotësimin e procedurave të regjistrimit. Deri në fund të vitit do të kontrollohen 6200 subjekte kryesisht në sektorët e turizmit, ndërtimit dhe karburanteve, të evidentuara me risk të lartë.

Shkarkoni aplikacionin e A2