Shembja e Teatrit, Sekretari i OSBE: Palët të presin Gjykatën Kushtetuese – A2

Shembja e Teatrit, Sekretari i OSBE: Palët të presin Gjykatën Kushtetuese

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i ka dërguar sot një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, ku i kërkonin një takim edhe me ta.

Aleanca ka publikuar edhe përgjigjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE, Greminger, i cili thekson se “pas ankesës që ka bërë Presidenti në Gjykatën Kushtetuese, palët duhet të presin vendimin”.

“Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, z. Thomas Greminger, i është përgjigjur një kërkese të Aleancës për një takim gjatë vizitës në Tiranë. Z. Greminger ka sqaruar se agjenda e tij e ngjeshur nuk i lejonte një takim tjetër. Gjithsesi, z. Greminger shprehet se qeveria duhet të ndalë të gjitha hapat e saj për aq kohë sa Shqipëria nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale kur kjo çështje mund të gjykohet. Ne e mirëpresim këtë qëndrim të z. Greminger dhë jemi tërësisht dakord me të. Krijimi i një sistemi funksional të drejtësisë, së bashku me dy gjykatat e larta në vend, atë Kushtetuese dhe të Lartë, është hapi i parë i domosdoshëm për gjykimin e çështjeve publike. Ashtu siç kemi thënë prej kohësh, pa një shqyrtim normal në Gjykatën Kushtetuese çdo veprim ndaj godinës është i jashtëligjshëm dhe kriminal. Falënderojmë z. Greminger për komunikimin e tij dhe gjykojmë se institucionet lokale duhet ta dëgjojnë qartë mesazhin e tij pa ekuivokë”, shkruan në rrjetet sociale Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Më poshtë, përgjigjja e Greminger:

Të nderuar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit,
Kam marrë me kënaqësi ftesën tuaj, pasi ajo tregon konsideratë për Organizatën që unë përfaqësoj. Megjithatë, për fat të keq, për shkak të një vizite të shkurtër dhe një axhende të ngushtë, nuk isha në gjendje t’i përgjigjesha pozitivisht. Duke pasur parasysh zhvillimin e djeshëm, përkatësisht Presidentin e Republikës, duke paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ligjin e posaçëm për ndërtimin e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar, të gjitha palët duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese para se të vazhdojnë më tutje kjo çështje.

Shkarkoni aplikacionin e A2