Burgjet, 8 objektivat për një sistem pa probleme – A2

Burgjet, 8 objektivat për një sistem pa probleme

Burgjet në vend do t’i nështrohen një plani të ri veprimi i cili do të zgjasë mbi 3 vite.

Masterplani që parshikon 8 pika konkrete veprimi do të sjellë ndryshime në sistemin penitenciar. Edhe pse mbipopullimi dhe trajtimi i të dënuarve janë probleme të mbartura, në këtë projekt janë përfshirë edhe trajnimet e drejtuesve të lartë të burgjeve.

Agim Ismaili, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, pranon se sot burgjet nuk janë të mbipopullura: “Kudo ka probleme, por mbipopullimi nuk është problem në burgjet tona sot për sot. Nuk ka mbipopullim”.

I pyetur për këtë situatë, ambasadori britanik, deklaron se reforma në burgje është pjesë e asaj që Shqipërisë i kërkohet të përmbushë për t’u afruar më shumë me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Duncan Norman tha: “Është diçka shumë e rëndësishme për Shqipërinë kohëve të fundit. Prandaj mendoj se është e drejtë që të bëhet prioritet. Mendoj se plani i veprimit është shumë ambicioz, sfidues dhe do të marrë kohë të zbatohet. Por, kur të përfundojë, sistemi i burgjeve do të jetë në një formë më të mirë, Shqipëria më pas do të jetë në një pozicion më të mirë për të hyrë në BE. Kështu që duhet ta shohim këtë projekt si pjesë esenciale e politikave të qeverisë. Prandaj, ne e mbështesim atë”.

Norman pranon se të gjitha problematikat në burgjet e vendit meritojnë vëmendje: “Shumë gjëra janë të rëndësishme. Të gjitha pikat, përse ne po e bëjmë këtë projekt, është se adreson gjithashtu të gjitha ato shqetësime. Prandaj, kjo do ta ngrejë nivelin e burgjeve në standarde ndërkombëtare dhe do të zgjidhë këto lloj problemesh. Ky është një mekanizëm për të ndihmuar Shqipërinë në arritjen e një sistemi burgjesh për të cilin ka nevojë dhe të cilin e meritojnë qytetarët”.

Në lidhje me rastet e dënimeve të drejtueseve të lartë të burgjeve për korrupsion, Norman thotë se kjo është detyrë e Reformës në Drejtësi: “Është ajo që reforma në drejtësi po bën. Është një program shumë i rëndësishëm. Mbretëria e Bashkuar e mbështet Reformën në Drejtësi, kemi punuar shumë që kjo të ndodhte. Dhe kjo është diçka që ne e mbështesim plotësisht. Është me rëndësi që Reformës në Drejtësi t’i jepet kohë dhe hapësirë për t’u përmbyllur në mënyrën e duhur”.

Shkarkoni aplikacionin e A2