Liga Profesioniste, kriza e futbollit, rrezikohet shtyrja e kampionatit – A2

Liga Profesioniste, kriza e futbollit, rrezikohet shtyrja e kampionatit

Futboll në krizë dhe kampionati që rrezikon të shtyhet. Probleme me organizimin, por më shqetësuese mbetet situata financiare. Situata për sezonin e ri të Kategorisë Superiore është kaotike.

Katër klube, Tirana, Vllaznia, Luftëtari dhe Flamurtari rrezikojnë përjashtimin nga kampionati nëse nuk shlyejnë detyrimet financiare, ndërsa aty u shtohet Skënderbeu i dënuar nga UEFA.

Me edicionin e ri që është përcaktuar të nisë më 24 gusht, problemi madhor i klubeve lidhet me paktën ligjore për sportin. Afati i dhënë nga qeveria për 100 ditët ka kaluar dhe alarmi për shtyrjen e kampionatit jepet nga zv.presidenti i Federatës së Futbollit, Edvin Libohova, i angazhuar me klubet elitare në krijimin e Ligës Profesioniste të futbollit.

“Presim paketën ligjore nga qeveria dhe nëse vendimet aty nuk përputhen me kërkesat tona do të shohim si do veprojmë. Shtyrja e kampionatit është një opsion, por gjithsesi, duhet të presim draftin e qeverisë, gjatë këtyre ditëve, që më pas të dalim me vendimin tonë”, u shpreh zv/presidenti Libohova.

Të pranishëm në mbledhjen e Ligës Profesioniste ishin presidentët e Teutës, Laçit, Tiranës, Bylisit dhe juristi i Partizanit. Në total përfaqësuesit e vetëm pesë nga dhjetë klubeve elitare, ku mungonin Kukësi, Skënderbeu, Flamurtari Vllaznia dhe Luftëtari.

Shkarkoni aplikacionin e A2