Rama “rrëmon” deklaratat e artistëve: Duhet një teatër i ri

Aktorja e njohur Drita Haxhiraj, e cila është shprehur për ndërtimin e një teatri të ri, është zgjedhja e radhës e kryeministrit Edi Rama për ta cituar.

Në Facebook, numri një i qeverisë shkruan se ajo bën pjesë tek shumica e komunitetit teatror që kërkon ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar në vend të kapanonit të ushtrisë italiane.

“Një gërmadhë që vetëm emrin ka teatër, e që as në ditët e veta më të mira nuk e ka lehtësuar, po e ka vështirësuar dhe dëmtuar aktivitetin artistik me kushtet e veta mizerabël, me hapësirat krejt të papërshtatshme për një teatër normal (lëre pastaj KOMBËTAR), me mungesën e mjediseve për aktorët e me radhë.” 

Me mbylljen e sesionit politik, duket se Rama po i kushton më shumë vëmendje artit dhe letërsisë, ku në mbështetje të projektit të qeverisë për teatrin, ka përmendur kolosë të këtyre sferave. Një ditë më parë, ai citoi Paolo Coelhon, ku fliste për luftra dhe vepra teatrale imagjinare, ndërsa nuk kurseu edhe ish-deputeten e PD-së, aktoren Rajmonda Bulku, e cila kohë më parë kishte thënë se ishte pro prishjes së teatrit.

Pas kësaj, Rajmonda Bulku reagoi përmes një statusi me një tjetër qëndrim: “Unë jam për një teatër të ri dhe i qëndroj deklaratave të mia, por jo në dhunim të ligjeve, kolegëve, miqve e shokëve të mi! Ruaje historinë! Ndërto teatër të ri, jo duke shkulur të vjetrin”.

Thirrja në ndihmë nga ana e kryeministrit Rama e emrave të artit në mbështetje të Teatrit të ri Kombëtar të sjell ndërmend kohën kur në qeveri ishte Sali Berisha dhe për çdo projekt që kundërshtonte Rama, në opozitë asokohe, firmoseshin peticione me firmat e personazheve të shquar nga bota e artit dhe kulturës. 

Shkarkoni aplikacionin e A2