KQZ shpall rezultatin e zgjedhjeve, Zguri voton kundër – A2

KQZ shpall rezultatin e zgjedhjeve, Zguri voton kundër

KQZ shpalli këtë të shtunë rezultatin final të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke i dhënë kështu fund pas 27 ditëve , procesit më të pazakontë elektoral që nga viti 1996.

Kryetari Klement Zguri votoi kundër, ashtu siç bëri në çdo vendimmarrje për organizimin dhe menaxhimin e këtyre zgjedhjeve.

“Këto zgjedhje janë shoqëruar nga një konflikt i madh politik. Mosmarrëveshjet do të vazhdojnë dhe pasi të miratojmë rezultatin e procesit zgjedhor. Besoj se konflikti do të vazhdojë dhe me gjatë. Përmes votës tonë kemi vënë dhe një notë për sjelljen e KQZ dhe performancës së saj. Besoj se KQZ mes transparencës dhe kamuflimit, ndërmjet neutralitetit dhe njëanshmërisë, ligjshmërisë dhe arbitraritetit,  për fat të keq KQZ zgjodhi të dytën. Vota për këtë proces sigurisht që ngelet votë dhe për KQZ, me keqardhje them që për shkak të një performancës e kam të pamundur të japë një notë kaluese. Do të votoj kundër. Dua që kjo performancë të mos kthehet në standard pune në të ardhmen”, u shpreh Klement Zguri në mbledhjen për shpalljen e rezultatit.

Por ndryshe mendonte nënkryetari Denar Biba, sipas të cilit edhe pse jonormale, këto zgjedhje nuk meritojnë votën jokaluese që i dha Zguri

Shpallja e rezultatit u bë me 4 vota, ndërkohë që më herët shumica e mandateve të kryebashkiakëve ishin shpërndarë nga Kolegji Zgjedhor.

Partia Socialiste mori  60 bashki, ndërsa 1 Partia minoritare Mega. Përsa i përket këshillave bashkiakë 74,11%  të vendeve janë fituar nga Partia Socialiste  ose 1136 anëtarë. Paskal Milo renditet forcë e dytë , duke siguruar 3,66 të votave në rang vendi, ose 79 mandate në këshilla. Bindja Demokratike renditet e katërta, pas partisë që dikur drejtohej nga Skënder Gjinushi. Edhe pse pa PD, LSI e aleatët e tyre, në 30 qershor morën pjesë 38 parti.

Shkarkoni aplikacionin e A2