Dy muaj pas tërmetit, banorët e Floqit në ankth për shëndetin dhe banesat

Banorët e Floqit, të cilëve iu dëmtuan banesat nga tërmetet e rëna dy muaj më parë, vazhdojnë të jetojnë mes vështirësive dhe pamundësisë për të patur një jetë normale në ambientet e improvizuara të shkollës.

Ata tregojnë për A2 CNN shqetësimin që shtohet dita-ditës, duke filluar nga shëndeti i fëmijëve të vegjël, të moshuarit që strehohen në ambientet e shkollës e deri te frika e stinës së dimrit. “Kemi dy muaj këtu dhe na janë sëmurur fëmijët. Ambienti nuk është i miri”, shprehet një e moshuar.

“Nuk kam nga ta nis. Këtu është tmerr. Nuk ka kushte, është shumë nxehtë. Jemi 10 veta në dhomë. Na janë sëmurur fëmijët”, shprehet një tjetër banore.

Teksa na tregon shtëpinë e dëmtuar, njëra prej banoreve ngre shqetësimin e stinës së dimrit. Ky shqetësim haset edhe te banorët e tjerë, të cilët kalojnë ditët në ambientet e shkollës. “Tani kur do të bëhen… po vjen dimri. Ne i themi ‘gusht e gunë’. I lutemi qeverisë të na ndihmojë sa më parë”.

Vetëm në 3 banesa, nga 60 të shembura dhe dëmtuara, kanë nisur punimet për rindërtimin, fakt i cili tregon se puna për rindërtimin e tyre vijon me ritme të ngadalta.

Shkarkoni aplikacionin e A2