Moti i keq përfshin bregdetin, humbin jetën dy persona në Durrës – A2

Moti i keq përfshin bregdetin, humbin jetën dy persona në Durrës

Pak pas mesdite moti i keq ka përfshirë thuajse të gjithë zonën bregdetare, duke krijuar dallgë të mëdha në det, ndërsa janë shënuar edhe dy persona të vdekur.

Një mjet lundrues është përplasur nga dallgët në Gjirin e Lalzit dhe për pasojë drejtuesi i këtij mjeti, Besmir Margjekaj, ka mbetur fillimisht i plagosur. Ai është dërguar për të marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Durrësit, nga ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë.

Po në Durrës, shtetasja N.T., rreth 50 vjeçe, banues në Tiranë, është futur në det dhe nuk është ndjerë mirë, ajo është nxjerrë nga pushuesit dhe është transportuar në Spitalin Rajonal Durrës, ku ka ndërruar jetë, dyshohet për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndërkohë, dy pushues, njëri prej të cilëve fëmijë, kanë rrezikuar të mbyten si pasojë e dallgëve të mëdha. Në Velipojë, një 28-vjeçar nga Kosova është shpëtuar nga roja i plazhit. Ndërsa një fëmijë është shpëtuar në zonën e Ujit të Ftohtë.

Situata parashikohet të jetë problematike në det të hapur edhe në orët në vijim. Kapiteneria e Portit të Durrësit bën me dije se forca e detit do të arrijë deri në 7, shkalla “Boufort”. Ndërkohë burimet për A2 CNN bëjnë me dije se është ndaluar dalja në det e mjeteve turistike për Sarandën dhe Vlorën si dhe anijeve të peshkimit në Portin e Durrësit. Drejtoria e Përgjithshme Detare bën me dije se po monitoron situatën.

Shkarkoni aplikacionin e A2