Aksioni kundër informalitetit, 30 zyrtarë të arrestuar

Policia e Shtetit ka njoftuar se janë arrestuar gjithsej 30 zyrtarë të administratës për shpërdorim detyre në kuadër të aksionit kundër informalitetit, të nisur në fillim të këtij muaji.

Të dhënat janë bërë publike nga drejtori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi.

“Në shkallë vendi janë ushtruar kontrolle në 801 subjekte të ndryshme, nga të cilët 467 shërbime vend-pushimesh me shezlong, 162 lokale në bregdet, 83 hotele, 24 ndërtime pa leje, 4 raste për territore të pushtuara dhe në pika shpërndarëse të karburantit. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 89 subjekte në shkelje të ligjit dhe të gjithë përfaqësuesit e tyre janë proceduar penalisht për veprat penale: fshehja e të ardhurave, moslëshim i kuptonit tatimor, ushtrim aktiviteti tregtar i paligjshëm, mospagim i taksave dhe i tatimeve, ndërtim i paligjshëm etj., të cilat ndiqen në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore përkatëse. Janë proceduar penalisht 30 zyrtarë të administratës për shpërdorim detyre”, deklaroi Minxhozi.

Sipas tij, në 80 raste, për subjekte të ndryshme janë marrë masa administrative nga Tatimet duke vendosur gjoba, ndërkohë që në 15 raste organet tatimore kanë vendosur bllokimin e aktivitetit të bizneseve të paligjshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2