Dorëhiqet kreu i Inteligjencës Kombëtare Amerikane, Trump gjen zëvendësuesin

Dan Coats zyrtarizoi dorëheqjen e tij. Në një letër dërguar presidentit Donald Trump, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare thotë se është “gati të nisë kapitullin tjetër të jetës së tij”. Ish-senatori republikan nga Indiana, mori këtë post në 2017, ndërsa dita e fundit do të jetë 15 gushti.

“Dan Coats ishte në drejtim të Inteligjencës për 2 vite, por le të jemi të qartë, Donald Trump është vetë drejtor i Inteligjencës”, tha Sam Vinograd, analist i CNN.

Coats mori vlerësime nga të dyja partitë pas njoftimit të tij. Lideri i maxhorancës në Senat, Mitch McConnell thotë se falë drejtimit të Coats, Inteligjenca ka bërë një punë të mirë në mbrojtjen e demokracisë. Drejtuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi nënvizoi se 76-vjeçari ishte i respektuar nga të gjithë pasi është një patriot amerikan. Presidenti Trump nuk humbi kohë dhe menjëherë nominoi kongresmenin John Ratcliffe si pasues të tij. Republikani nga Teksasi, rriti ndjeshëm figurën e tij ndërsa u përplas me ish prokurorin special Robert Mueller javën e kaluar.

“Donald Trump nuk është sipër ligjit. Por sigurisht ai nuk duhet të jetë poshtë tij, ku vëllimi i dytë i këtij raporti e vendosë atë”, tha John Ratcliffe, kandidat për DNI.

Ratcliffe reagoi për nominimin duke thënë se është shumë falenderues për mundësinë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN