Dyshime për sulm kimik ndaj liderit të opozitës në Rusi – A2

Dyshime për sulm kimik ndaj liderit të opozitës në Rusi

U transferua nga burgu për në spital dhe dyshimi kryesor është se mund të jetë helmuar me substancë kimike. Pretendimi vjen nga doktoresha e Alexei Navalnyt, liderit të opozitës në Rusi, i cili u dënua me 30 ditë burg për shkak të organizimit të protestave të paautorizuara.  

“Nuk mund të përjashtojmë që një dëm toksik ndaj lëkurës dhe mukozës nga ana e një substance kimike të panjohur tëjetë shkaktuar me ndihmën e një pale të tretë”, tha doktoresha Anastasia Vasilieva.

Këto dyshime rrisin dhe më tepër zemërimin e mbështetësve të liderit opozitar. Zëdhënësja Kira Yarmysh tha se Navalny kishte shenja alergjie akute me enjtje të rëndë të fytyrës dhe skuqje të lëkurës. Ajo saktësoi se 43-vjeçari nuk ka vuajtur kurrë ndonjë alergji në jetën e tij. Mjekët flasin për një përmirësim të gjendjes së opozitarit, megjithatë doktoresha personale kërkon që të merren mostra të lëkurës dhe flokëve për të bërë ekzaminimet e duhura.

Edhe gjatë vitit 2017, Navalni rrezikoi të humbiste një sy pas një sulmi ndaj tij, por mjekët arritën t’i shpëtonin shikimin.

Situata politike në Rusi është ndezur ndjeshëm me protesta të mëdha të opozitës, pasi kandidatët e tyre u përjashtuan nga pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme lokale në Moskë. Gjatë manifestimeve të fundit, policia ruse ndërhyri dhunshëm me mjete të forta duke arrestuar mbi 1000 protestues.

Autoritetet madje ndaluan dhe disa mbështetës të Navalnit në afërsi të spitalit ku po trajtohet. 

Shkarkoni aplikacionin e A2