Futbolli i femrave, Vllaznia fiton testin e kampioneve me Mitrovicën – A2

Futbolli i femrave, Vllaznia fiton testin e kampioneve me Mitrovicën

Vllaznia, skuadra kampione e Shqipërisë në futboll për femra dhe Mitrovica, kampione e Kosovës, u përballën në një test miqësor përpara angazhimeve në Champions League.

Ndeshja e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës përfundoi me fitoren 3 me 1 për vajzat kuqeblu. Seria e golave u hap nga amerikania Amanda Dojli, e afruar gjatë këtij afati transferimesh në skuadër.

Për të dyfishuar shifrat mendoi golashënuesja e Vllaznisë dhe e kombëtares kuqezi, Megi Doçi, e cila realizoi me një ekzekutim mjaft të bukur nga goditja standarde.

Mitrovica provoi të kthehej në lojë, madje shkurtoi edhe diferencën, por në minutat e fundit kampionet e Shqipërisë realizuan edhe golin e tretë me amerikanen tjetër, mbrojtësen Kasiti Blanshard.

Me këtë fitore dhe me përforcimet në merkato, Vllaznia konfirmoi se është gati të provojë kualifikimin e parë në histori në turnet e Champions League për femra.

Shkarkoni aplikacionin e A2