Robert Budina: Po përgatitet valë e gjerë protestash për teatrin

Regjisori Robert Budina paralajmëroi një valë të gjerë protestash në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

I ftuar në “Ditari” në A2 CNN, Budina theksoi se në mbështetje të atyre që duan të ruajnë godinën ka pasur edhe jelekëverdhë nga Parisi: “Politikanët tanë duhet të kuptojnë që gijotina e Francës mund të vijë në kuptimin simbolik edhe në Shqipëri. Duhet të përgatiten për një valë të gjerë protestash nëse nuk e kuptojnë mesazhin e protestës”.

“Është e paprecedent që policia të rrethojë një institucion artistik. Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar është alibi sepse aty bëhet fjalë për vjedhjen e pronës publike dhe për shkeljen e Kushtetutës. Sot po luajmë rolin e jetës në teatër. Të mbash një protestë për një vit nuk është e lehtë sepse duhet të lësh punët e tua. Me ne po luajnë si macja me miun, po bëjnë presion psikologjik vetëm sepse janë të detyruar që të ndjekin urdhrin e kryeministrit që teatri duhet të shembet dhe pikë. Rama ka marrë përsipër të zhdukë teatrin që të mos ketë njerëz të lirë që thonë fjalën e tyre”, deklaroi Budina.

Më tej, regjisori shtoi se “kryeministri dhe pushteti i tij që i ka rrënjët që në kohën e diktaturës, e bëjnë propagandën njësoj si në atë kohë”.

“Përça e sundo e bëjnë në mënyrë të përkryer, por ne jemi shumicë në krahasim me artistët që duan shembjen. Në fillim kemi qenë 20 artistë kundër 100 policëve. U përleshëm me ta dhe populli i Tiranës u mblodh, rreth 3000 veta. E kuptuan situatën dhe ikën”, u shpreh Budina.

Në lidhje me marrëveshjen e artistëve me Partinë Demokratike, Budina tha: “PD-së i kemi ofruar një zgjidhje dhe “detyruam” që një forcë politike të bashkëpunojë me ne. Ato që janë shkruar aty, do të realizohen. Nëse PD vjen në pushtet, do t’i kërkojmë llogari për atë dokument të firmosur. Ne do të tregojmë që aty nuk jemi për lekë”.

Kur u pyet për kushtet e teatrit, Budina zbuloi se “një arkitekte italiane po bën vëzhgimin e teatrit dhe për pak kohë do të dalë në përfundimin se sa lekë duhen për rikonstruksionin e tij”. Sipas tij, “dërrasat që mbajnë godinën janë të pakonsumuara, megjithëse kanë 80 vjet”.

Në fund, Budina njoftoi se së shpejti “do të vijë të interpretojë në teatër falas artisti i madh Mikele Plaçido”.

Shkarkoni aplikacionin e A2