Shembja e Teatrit, Veliaj për A2 CNN: Nuk tërhiqemi. Teatër, dërgimi në Kushtetuese – A2

Shembja e Teatrit, Veliaj për A2 CNN: Nuk tërhiqemi. Teatër, dërgimi në Kushtetuese

Protestat nuk e kanë lëkundur bashkinë apo qeverinë nga ndërtimi i një godine të re teatri dhe shembja e atij ekzistues.

Në 22 korrik, sipas kryebashkiakut Veliaj, u hap gara dhe do te respektohen të gjitha afatet për ankimimin nga kompanitë që mund të mos jenë dakord me fituesin. Por, sipas tij, nuk ka tërheqje pas.

“Nuk jam lëkundur nga asnjë protestë. As unë, as qeveria dhe as shumica që vendos. Drejtori i Ujësjellësit të Kamzës dhe të gjithë hidraulikët e Kamzës që nuk e gjenin dot ku ishte teatri për protestën ju dhemb për teatrin? Ju më thoni mua se pastrimgjelbërimi i Kamzës që nuk e dinte se ku ishte teatri, mendoni se u dhimbsej teatri? Jo. Ata janë aty për një kauzë politike. Iku kauza “Rama ik” dhe tani thonë jemi me teatrin. Ne kemi kërkuar që të ndërtohet ky teatër vetëm në sipërfaqen e teatrit ekzistues. Për sipërfaqen private, ne fare mirë mund t’i jepnim edhe tani lejet, por… arsyetimi është se të ka ardhur një rast ideal që ta shfrytëzosh ndërtimin në zonën private për të marrë diçka në zonën publike, diçka që ne nuk e përballojmë dot sot. Kjo është ekuivalente e investimeve të bashkisë së Tiranës për 3 vjet”, tha Veliaj.

Më tej, kreu i bashkisë së Tiranës thekson se Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë masë bllokimi. “Nuk e di se çfarë ka bërë Presidenti një orë e gjysmë në Gjykatën Kushtetuese, mjafton postieri të lërë zarfin. Më duket një teatër i mbetur në tentativë dhe kjo në Gjykatën Kushtetuese”.

Por kur do të nisë teatri i ri, sipas Veliajt? “Bëni llogarinë. 22 korrik, duhen 60 ditë nga oferta. Bëhet vlerësimi i ofertave, shpallen fituesit. Kush ka dalë i dyti apo i treti ka ankesa dhe ka periudhën e tij të apelimit. Aplikohet për leje dhe fillon puna. Varet se sa mund të shkojë apelimi. Për të gjitha këto arsye ne do të respektojmë të gjitha procedurat ligjore. Por meqë i kapi vapa e korrikut dhe e gushtit skiç dhe duan t’i kalojnë pushimet aty… Domethënë, ne kemi borxh t’i themi njerëzve të vërtetën”, u shpreh Veliaj për A2 CNN.

Shkarkoni aplikacionin e A2