Shkrumbohet anija turistike në Karaburun, policia: Shpëtuam 5 persona

Policia e Vlorës ka dhënë detaje mbi djegien e një anijeje turistike mëngjesin e sotëm në Karaburun.

Policia sqaron se anija “Aqua Marine” është përfshirë nga flakët dhe ka arritur të shpëtojë 5 shtetasit të cilëve u rrezikohej jeta në mjetin lundrues.

“Mjeti lundrues i “Aqua Marine” duke qenë se punon me turistët nga Moli i Vlorës drejt Karaburunit, për shkak të luhatjeve të kohës, është shkëputur nga Moli i Vlorës në fundjavë dhe është ankoruar në Karaburun, me qëllim që të ishte e përgatitur për vozitjen e turistëve atje. Në orët e para të mëngjesit në Karaburun pranë plazhit të Shën Vasilit, në këtë mjet lundrues ka rënë zjarr duke u rrezikuar jeta e disa shtetasve. Pas njoftimit të marrë, Policia Kufitare me mjetet e saj lundruese, nën drejtimin orientues të QNOD Durrës, shkoi në ndihmë të personave që kërkuan ndihmë, duke bërë të mundur konstatimin e mjetit lundrues pranë gjirit të Dhimokushtës dhe shpëtimin e sigurt të personave në bordin e saj”, lexohet në njoftimin e policisë.

“Në këtë mjet lundrues ndodheshin 5 persona, të cilët nuk kanë probleme dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Si pasojë e flakëve, mjeti lundrues është djegur pothuajse plotësisht. Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave dhe zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit”, shton më tej njoftimi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN