Ekipi i Skënderbeut është grumbulluar sot dhe nisi përgatitjet për sezonin e ri futbollistik i cili pritet të fillojë së shpejti. Ashtu edhe si çdo vit, ekipi korçar është mbledhur në resortin Tropikal që ndodhet në plazhin e Durrësit.
Nën drejtimin e Gentian Liçit dhe Ilir Bozhiqit, Ujqërit kanë zhvilluar në orët e pasdites seancën e parë stërvitore, e cila u ndoq dhe nga presidenti Takaj.
Të pranishëm në këtë seancë ishin të gjithë lojtarët që janë ende nën kontratë tek Skenderbeu duke përmendur këtu Dita, Gripshi dhe Jashanica.
Me ekipin, gjithashtu janë bashkuar dhe 5 lojtarë të ekipit të moshave, Aldo Qoshku, Jorgo Qeleshi, Eqerem Liqeri, Flavio Demollari dhe Kosta Vangjeli.
Edhe pse CAS konfirmoi pak kohë më parë dënimin me 10 vjet përjashtim nga kompeticionet evropiane për ekipin korçar, Skënderbeut ka nisur përgatitjet për sezonin e ri edhe pas mbështetjes së marrë nga presidenti Takaj.