Basha: Lajm i mirë nga DASH për Vangjush Dakon, është pjesë e krimit të organizuar – A2

Basha: Lajm i mirë nga DASH për Vangjush Dakon, është pjesë e krimit të organizuar

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi pas vendimit të DASH për t’i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ish kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe familjarëve të tij.

Sipas kreut të demokratëve është një lajm i mirë që DASH e ka shpallur non grata Vangjush Dakon, por ka ende një lajm të keq pasi ai nuk është ende pas hekurave

“Është lajm i mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur non grata Vangjush Dakon për përfshirje në raste të mëdha korrupsioni. Është lajm i keq që Vangjush Dako nuk ka dalë akoma para drejtësisë për asnjë rast korrupsioni” u shpreh kreu i PD, Basha.

Më tej lideri i opozitës shtoi se Vangjush Dako nuk është vetëm një politikan i korruptuar, por pjesë e krimit të organizuar. Sipas Bashës, mburoja kryesore e Dakos është vetë kryeministri Edi Rama.

“Vangjush Dako nuk është vetëm një politikan i korruptuar. Ai është pjesë e krimit të organizuar, në bashkëpunim me të cilin vodhi zgjedhjet për llogari të pushtetit të Edi Ramës. Si shpërblim, Vangjush Dako i dorëzoi krimit të organizuar kontrollin ekonomik dhe politik të Bashkisë së Durrësit.Është lajm i keq që Vangjush Dako ka si mburojë paprekshmërie nga drejtësia kryeministrin e vendit, Edi Rama. Veprat e mëdha të korrupsionit janë bërë nën mbrojtjen, me dijeninë dhe për përfitimin e Edi Ramës. Është Edi Rama ai që e mbron Vangjush Dakon apo siç e quajnë miqtë e tij, bankomatin personal të parave të pista të Edi Ramës”, përfundoi Lulzim Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2