Çollaku: Ka interes ndërtimi, nuk është çështja te teatri

Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe ende pjesë e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, deklaroi në A2 CNN se “nëse teatri do të ishte në një zonë tjetër, ku nuk do të kishte interes ndërtimi, as nuk do ta dëgjonit të përmendej kjo histori”.

Teatri u ka zënë rrugën, nuk është çështja te teatri. Por, teatri qëndron në një truall, disa mijëra metra katrorë, i cili është truall publik. Nuk është pronë e shtetit dhe në bazë të Kushtetutës, dhënia e truallit publik të tretëve përcaktohet vetëm nga vota e 3/5 anëtarëve të Këshillit Bashkiak të qytetit. I duheshin 37 vota në këshill Erion Veliajt dhe i mungonin 5. Ka qenë rezistenca jonë që ia rrëzoi projektin. Pastaj sajuan ligjin e ri, duke cenuar autonominë e Këshillit Bashkiak”, deklaroi Çollaku.

Anëtari i Kryesisë së PD-së shtoi se “sot Tirana nuk ka më bashki apo kryetar bashkie, por ka kryetar Komiteti Ekzekutiv; nuk ka më Këshill Bashkiak, por front lagjeje, ku qyteti përfaqësohet me të emëruar”.

Në lidhje me vendimin e opozitës për djegien e mandateve, Çollaku theksoi: “Opozita i bëri një shërbim të madh qytetarëve pasi nxori të zhveshur para opinionit publik modelin e këtij grupi njerëzish që qeveris Shqipërinë. Një rilindje e shtetit monist, e formës moderne të diktaturës. Çmimi ishte i lartë, lëshimi i mandateve, por kemi ekspozuar të keqen dhe e keqja do të shembet një ditë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2