Betohet kryebashkiak, hyn në zyrë duke shkallmuar derën

Ndodh që ditën e parë të punës ta kalosh në kafenenë pranë saj. Ky është rasti i Redjan Kralit, kryebashkiakut të ri të Kavajës.

I votuar në zgjedhjet e 30 qershorit si kandidat i së majtës, ai u betua si kryebashkiak këtë të martë. Ceremonia u zhvillua në ambientet e nënprefekturës. Në prononcimin e tij të parë si kryebashkiak, Krali tha se nuk ishte koha e fjalëve, por e punës dhe u nis drejt bashkisë. Ndonëse disa dhjetra hapa distancë, destinacioni nuk ishte i lehtë. Prej orës 09:30, sheshi para bashkisë mbahej i pushtuar nga punonjës të saj dhe mbështetës opozitarë, të vendosur për të mos lejuar kryebashkiakun e ri.

Sapo panë titullarin e ri në horizont, ata shpërthyen në thirrje antiqeveritare. Zyrtari i ri u nxor nga situata prej atyre më me eksperiencë.

Përpjekja e Prefektes së Qarkut Tiranë, Suzana Jahollari, për të kontaktuar me ish-kryebashkiakun Isa Sakja për një dorëzim normal të zyrës dhe detyrës, rezultoi pa sukses.

Në pak minuta, kryebashkiaku la kafen. Pa e hequr shiritin ceremonial kuq e zi, ai u rikthye tek nënprefektura. Teksa orët kaluan, u kuptua se rezistenca opozitare kishte një afat fundor, që përkonte me orarin zyrtar të punës në bashki. Në vetëm 15 minuta, një shpurë policore shoqëroi kryebashkiakun Krali. Nuk kishin çelës, por kishin trapan. Disa mbështetës të kryebashkiakut kërkuan që procesi i shkallmimit të derës të mos regjistrohej nga telekamerat.  

Pengimi i medias nuk shqetësoi kryebashkiakun e ri. Aq më pak policinë. Kalimi i pragut u shoqërua me brohoritje. Krali u fut triumfues në godinën të cilën pritet ta drejtojë për katër vitet e ardhshme, gjithmonë nëse para këtij afati nuk do të ketë zgjedhje që mund ta rivenë në provë.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN