Rasti “Dako”, Ngjela: Amerikanët kanë prova

Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për t’i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte temë e debatit në emisionin e gazetarit Endri Xhafo “I Ftuari” ku i pranishëm në studio ishte avokati i njohur Spartak Ngjela.

Sipas avokatit Ngjela, fakti që DASH bëri një deklaratë të tillë për ish kryebashkiakun e Durrësit do të thotë që ata kanë prova. I pyetur se nëse është ky një vendim i Departamentit të Shtetit një fshikullimë për Edi Ramën, Ngjela u shpreh se kryeministri duhet t’i mbrojë vartësit e tij deri në momentin që dalin provat. “Kryeministrat nuk lëkunden me llafe” u shpreh Ngjela.

“Fakti që e bëjnë amerikanët do të thotë që kanë informacion. Se çdo bëjë ligji me të është diçka tjetër. Deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk është provë në kuptimin gjyqësor, por ata pa prova nuk e bëjnë. Kryeministri duhet t’i mbrojë ata që ka emëruar ose që ka çuar përpara popullit për votimit. Është aksiomë e politikës moderne. Në momentet kur dalin provat, natyrisht që nuk kam si e mbroj dhe as kryeministri nuk ka si e mbron. Vartësi mbrohet në çdo situatë deri sa të veprojë drejtësia” tha avokati Ngjela tek “I ftuari”.

Më tej Spartak Ngjela shtoi se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të ditur se nuk i ndahen korrupsionit shqiptar. Avokati sqaroi metodologjinë që përdorin amerikanët të cilët godasin nga të dyja krahët, duke paralajmëruar këtu dhe zhvillime të tjera.

“Duhet të deklarojmë diçka që të jemi të saktë. Ata nuk i ndahen korrupsionit shqiptar. Po iu jap metodën e tyre. Metoda amerikane është ajo që fillon nga maxhoranca, pastaj i bie opozitës. Godasin nga të dyja krahët dhe nisin nga mazhoranca”, tha Spartak Ngjela.

Shkarkoni aplikacionin e A2