Takimi i koalicionit, PDK refuzon ftesën e Haradinajt për bisedime

Ishte thirrur takim koalicioni, por vetëm tregoi se një i tillë nuk ekziston më. Partia Demokratike e Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, nuk u paraqit në bisedimet e thirrura nga kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj. Në takim mori pjesë Lëvizja Nisma, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca për Kosovën e Re. I vetmi që foli pas bisedimeve ishte Fatmir Limaj, i cili u mundua të zbuste seriozitetin e takimit.

“Janë takime normale, sapo e pimë nga një kafe me kolegë, diskutuam si të ecim përpara, është e qartë që vendi është në prag të zgjedhjeve. Janë konsultime të vazhdueshme, thjesht janë takime me shkëmbimeve të mendimeve. Vendi është mirë që sa më shpejt me caktu datën e zgjedhjeve, edhe presidenti me kry punën e vet. Unë e piva një kafe me Ramushin pastaj erdh edhe Behgjeti. Është sa më shpejt që partitë politike me u mbledh edhe me caktu datën e zgjedhjeve. Nuk është takim, është takim për kafe, po shpresoj që java e ardhshme do të jetë zgjidhje për këtë çështje”, tha Fatmir Limaj.

Ai shtoi më tej se duhet të caktohet një seancë plenare për të njoftuar shpërbërjen e parlamentit. Ndërkohë, Haradinaj dhe Behgjet Pacolli nuk u prononcuan për mediat pas takimit.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN