Basha: Shqiptarët të papunë dhe në varfëri të thellë; Rama, Dako, Gjiknuri dhe Balla në luks

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me strukturat e PD-së në Prrenjas, drejtoi gishtin tek Edi Rama si fajtori kryesor për krizën ekonomike e sociale të vendit. Basha tha gjithashtu se PD-ja ka gati planin dhe programin për të kthyer besimin e shqiptarëve tek qeverisja.

“Babëzia me të cilën Rama grabit buxhetin e shtetit, pasurinë e vendit, mineralet, naftën, bregdetin, pyjet, ujrat, guroret, gjithçka është arsyeja pse shqiptarët janë të papunë, pse varfëria thellohet, ndërsa Rama, Dako, Gjiknuri dhe Balla kridhen në luks dhe përvetësojnë miliona euro”, theksoi Basha.

“Asnjë plan tjetër nuk ka Edi Rama dhe banda e tij përveç grabitjes së pasurive publike si te Teatri Kombëtar, ku do të përfitojë 200 milionë euro me 6 kullat e drogës. Asnjë ofertë zhvilimi përveç granitjes së bregdetit nga Saranda dhe Himara në Shëngjin e Velipojë”, shtoi Basha.

“Bashkë me 85% të shqiptarëve që duan ndryshim, do ta largojmë këtë bandë. Vendi i tyre është para drejtësisë me pranga në duar, nga i pari tek i fundit. Fundi i pandëshkueshmërisë së pushtetarëve të korruptuar e të lidhur me krimin është fillimi i Shqipërisë si gjithë Europa. Ne e dimë që në fund të kësaj rruge nuk do të kemi vetëm rotacion politik, por do të kemi fundin e tranzicionit dhe Partinë Demokratike në krye të alenacës sonë qeverisëse për të hapur rrugën e standardit të vërtetë europian, për të bërë realitet Shqipërinë e standartit europian në çdo fushë. Largimi i Edi Ramës është kusht i parë dhe i panegociueshëm. Vetëm një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër mund të garantojë votën e qytetarët. Ne e dimë se me votë të lirë dhe të ndershme, Rama është larguar, PD është në krye të qeverisjes së ardhshme të vendit”, u shpreh Basha.

Shefi i opozitës nënvizoi se farsa e 30 qershorit është nul dhe deklaroi se PD dhe opozita do jenë në krah të qytetarëve për të mbrojtur pushtetin lokal nga uzurpimi antikushtetues i tij: “Ne do të qendrojmë së bashku, me të gjitha format dhe mënyrat, në krah të qytetarëve, për të kundërshtuar me të gjitha format dhe mënyrat uzurpimin e dhunshëm të pushtetit vendor.  Ne nuk pranojmë kurrë këtë uzurpim antikushtetues dhe antiligjor. Aty ku pushteti i paligjshëm, i lindur nga vota e blerë me paratë e drogës dhe të krimit, përpiqet të uzurpojë pushtetin e ligjshëm, pushtetin legjitim të qytetarëve, aty, çdo lloj forme rezistence është legjitime, është e përligjur, dhe ne jo vetëm nuk do ta frenojmë, por do ta inkurajojmë”.

Kryetari i PD rikonfirmoi objektivin e opozitës së bashkuar që zgjedhjet parlamentare të parakohshme të zhvillohen në një ditë me zgjedhjet kushtetuese për pushtetin vendor.

Shkarkoni aplikacionin e A2