Dyshime mbi ndeshjen ndaj Kastriotit, reagon Kukësi

Kukësi ka hedhur poshtë akuzat për trukim të ndeshjes me Kastriotin, luajtur më 30 Maj 2019 në stadiumin e Kamzës, ndeshje ku Kukësi fitoi me rezultatin 3-1.

“Deklarojmë me përgjegjësi se nuk ka asnjë element që të vërtetojë këtë akuzë. Ekypi ynë e ka patur jetike këtë ndeshje, për të siguruar vendin e dytë në Kategorinë Superiore dhe për të qenë i sigurtë në pjesëmarrjen e kupave të Europës. Ndaj, impenjimi ka qenë maksimal nga skuadra dhe stafi. Ne sigurojmë UEFA-n, institucionet e futbollit në Shqipëri, gjithë opinionin sportiv dhe tifozërinë se jemi të hapur ndaj çdo hetimi dhe se FK Kukësi kurrë nuk është përfshirë në ngjarje të tilla që shëmtojnë futbollin dhe imazhin e Klubit”, lexohet në komunikatën zyrtare të Kukësit.

“Nuk është hera e parë që nga tregu i basteve vijnë akuza për ekipin tonë. Në një rast në Austri pati një hetim të gjerë dhe të shtrirë në kohë nga prokuroria vjeneze. Pas hetimit 2-mujor, ekipit iu kërkua falje, pasi nuk u vërtetua asnjë element i trukimit apo paravendosjes së rezultateve. FK Kukësi ka luajtur me dinjitet në rreth 100 ndeshje miqësore dhe zyrtare me ekipe të huaja dhe kurrë nuk e ka prishur imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar. Përkundrazi, e ka ngritur lart në shumë stadium të Europës flamurin tonë kombëtar dhe atë të klubit, duke marrë vlerësime maksimale nga institucione, emra të shquar dhe ekipe futbolli elitë në Europë dhe më gjerë. FK Kukësi, stafi dhe skuadra, nuk do të shpërqëndrohen nga insinuata të tilla, por po vijojmë punën për nisjen e sezonit të ri futbollistik, ku synim mbetet titulli Kampion dhe përmirësimi i infrastrukturës, ku përfshihet ndërtimi i stadiumit të ri të futbollit, ku ndeshjet për kupat e Europës do të luhen në qytetin tone”, shton klubi verior.

Shkarkoni aplikacionin e A2